Seanca e sotme plenare në Kuvend u shoqërua me tensione pas momentit kur kryeministri Edi Rama i dha fjalën ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, Diella. Opozita reagoi menjëherë duke bërë zhurmë dhe duke i rënë tavolinave, çka detyroi Ramën të ndërpriste fjalën dhe të ulej në vendin e tij, ashtu siç e kishte paralajmëruar në hyrje të fjalimit.
Pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ndërpreu seancën për 5 minuta pushim. Në vijim, Peleshi ndëshkoi deputetin demokrat Klevis Balliu, duke i hequr të drejtën e fjalës për gjithë ditën, ndërkohë që edhe Gazment Bardhit iu tërhoq vëmendja sipas rregullores.
Nga ana e opozitës, reagimi erdhi në formën e akuzave për “turp”, ndërsa Rama kërkoi që Kuvendi të vijonte me procesin e votimit. Debati u ndez posaçërisht për shkak të përdorimit të “Diellës” si zë zyrtar në seancë.