TIRANË, 9 prill /Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në takimin e zhvilluar sot me Asamblenë e PS në Durrës, duke iu përgjigjur një socialisti, u shpreh se deklarata e opozitës se nëntë vende kanë bllokuar procesin e integrimit në BE është një barcaletë.
Sipas Ramës, opozita u shpreh po kështu edhe me Bordin e Paqes, por në fund ftesa erdhi dhe Shqipëria është pjesë e atij Bordit.
“Procesi i anëtarësimit ka një anë që lidhet me ne. Ka një anë që lidhet me ata. Dhe Bashkimi Europian është si kjo këtu me dy kate, me ndryshimin që ata në kat të dytë nuk janë në këmbë, janë ulur dhe në kat të parë është komisioni, është Brukseli, janë 35 mijë punonjës atje që merren me të gjitha aspektet e Bashkimit Europian. Që të gjitha! Me të gjitha shtetet, me politikën e përbashkët, për bujqësinë, për mjedisin edhe një pjesë e tyre, një seksion atje në kat të parë merret me vendet që duan të futen në Bashkimin Europian edhe i ndjek çdo ditë çfarë bëjmë, si e bëjmë. Edhe kjo është e lidhur me detyrat që ata na vënë dhe na ndjekin në proces.
“Dhe sipas atyre gjërave që bëjmë ne, ata çojnë letrën në kat të dytë edhe thonë “këta i mbaruan këto detyra që kishin për këtë fazë. Prandaj, ne ju propozojmë, ne ju rekomandojmë që t’ia hapim negociatat”. Ata në kat dytë tani nuk shohin si ata të katit të parë. Ata të katit të parë shohin detyrat. Kati i parë është si shkollë, kati i dytë është si marrje në punë. Atje në kat të dytë janë 27 shtete që secili prej tyre duhet të thotë dakord ose jo. Një mjafton të thotë jo, nuk bëhet. Dhe jo vetëm për ne, por për gjithë vendimet që merr kati i dytë duhet 27 të jenë me një mendje”, tha Rama.
Sipas tij, “Pse ky proces është shumë i rëndësishëm për ne pavarësisht katit të dytë? Sepse ndërkohë përmirësojmë Shqipërinë këtu. Të gjitha këto reforma, të gjitha këto procese e bëjnë Shqipërinë shtet dhe prandaj janë një ushtrim jashtëzakonisht i dobishëm për ne. Pra bëhet Shqipëria si një vend i Bashkimit Europian.
“Tani a mund të ndodhi që në 2027-ën politika në Francë të ndryshojë për keq në raport me këtë? Po mund të ndodhë, shumë e mundur. A mund të ndodhi që në Gjermani të ndodhi e njëjta gjë? Po mund të ndodhi. Po ndërkohë kemi ne ndonjë rrugë tjetër përveçse ne të bëjmë detyrat tona dhe të përmirësohemi këtu? Se në fund të fundit përfituesit jemi ne këtu, kështu që ne duhet të jemi gati. Kjo është e rëndësishme. Dhe për këtë arsye kur filluam negociatat, ne i hapëm të gjithë kapitujt në 11 muaj. Nuk i ka hapur asnjeri në 11 muaj, por i hapëm se kishim përgatitur me vite përpara. Dhe ata thoshin pastaj “ua çudi e madhe. Po Shqipëria sa mirë. Po, sa mirë, po na ka surprizuar Shqipëria. Kushedi çfarë prisnin!”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se “kjo e nëntë shteteve pastaj është barsoletë komplet. Barsoletë që nëntë shtete kanë vënë veton. E para një herë veton e vë njëri, prandaj quhet veto. Tjetra pastaj është votë, s’është veto. Po qenë nëntë nuk është më veto, është votë.
“Cili është procesi tani aktualisht që flasim? Tani Komisioni ja ka dhënë raportin, ka thënë këta janë në rregull, i kanë bërë të gjitha, jemi marrë vesh me këta, i kemi caktuar. Tani vijnë ata nga kati i dytë, çojnë ambasadorët në kat të parë, vijnë ata poshtë, ulen me ne dhe me komisionin. Ne dhe komisioni jemi në një anë, shtetet janë në anën tjetër. Dhe fillojnë pyetje. Vjen çohet njëri thotë “mirë, mirë dakord kjo thotë, por çfarë keni bërë ju për minoritetet për shembull, si do ta zgjidhni këtë punë? Çohet tjetri thotë po mirë si ta garantojmë ne që juve nuk do t’ju ndryshojë mendja për këtë punë? Çohet tjetri edhe është pyetje-përgjigje, pyetje-përgjigje! Janë disa raunde pyetjesh”.
Kryeministri u shpreh se “në raportin për raundin e fundit që ishte bërë dhe pyetjet fillojnë, janë më pak, më pak. Kur s’ka më pyetje dhe pyetjeve i përgjigjet Komisioni, nuk i përgjigjemi. Ne na mbron komisioni aty. Mbaron kjo besoj deri në fund të prillit, në fillim të majit dhe pastaj do dali rezultati.
“Pastaj do ndodhi siç ndodhi me Bordin e Paqes. Ju kujtohet që thoshin nuk ka ftesë. Unë e kisha ftesën. Nuk ka ftesë. Doli ftesa të nesërmen. Pastaj thanë “po kjo qenka ftesë për shumë, s’qenka vetëm e këtij. Pastaj erdhi ai në Zvicër, unë s’shkova, isha këtu me vajzën e vet. E sheh, nuk shkoi se e ndaluan. Thashë “ore jam me gocën unë, si? Pastaj shkova atje, pastaj thanë “i korruptuar ky, i korruptuar ai”. Iku Amerika, tani doli Gjermania. Në rregull. Erdhi Maji. Do e ngremë flamurin gjerman në Shijak ne, dakord? Ngremë flamurin gjerman aty te lagja Lugina e do i themi “hajdeni këtu tani se në Shijak ka një ka një veto kundër negociatave. Hajde merruni me Shijakun. Çarë t’i bësh atyre? Kjo është historia. Po nuk ka asnjë veto, s’ka asnjë problem kësaj natyre. Është vetëm proces. Kjo është!”, tha Rama.

