Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me sipërmarrës të përpunimit të vajit të ullirit në Berat, ku diskutoi mbi rritjen e pagave në bujqësi, nxitjen e investimeve, lehtësimin e taksave dhe skemat mbështetëse për sektorin, me synim rritjen e standardeve të prodhimit për tregun e Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se lufta kundër korrupsionit në vend ka arritur nivele të paprecedenta, duke e cilësuar këtë si një realitet të bazuar në fakte, pavarësisht debatit publik dhe perceptimeve të ndryshme.
“Në një vend dhe në një mjedis ku e vërteta bëhet copash nga mëngjesi deri në darkë dhe ku gëlojnë lloj-lloj thashethemesh e gënjeshtrash e gjysmë të vërtetash, shpesh herë të thuash të vërtetën duket si sfidë”, tha Rama.
Duke u ndalur te zhvillimi i Beratit, ai vlerësoi transformimin e qytetit, duke theksuar se rritja e numrit të qytetarëve që kthehen nga emigracioni është tregues i mundësive ekonomike që ofron zona.
Sipas tij, shfrytëzimi i pronave dhe tokës bujqësore ka krijuar alternativa fitimprurëse për banorët.
“Berati është një territor i Republikës së Shqipërisë ku ka më shumë të kthyer nga jashtë sesa njerëz që ikin jashtë”, tha Rama, duke shtuar se, kjo vjen për arsye sepse “Berati sot të gjithëve u ofron mundësi që me punë të vënë në shfrytëzim, qoftë shtëpinë e vjetër në Kala, qoftë tokën në fshat dhe të fitojnë më shumë sesa ç‘fitojnë duke punuar për të tjerët jashtë shtetit”.
Rama theksoi rëndësinë e bashkimit të prodhuesve të vajit të ullirit si një model i domosdoshëm për rritjen e konkurrueshmërisë dhe fitimit në treg.
Ai u shpreh se krijimi i një modeli bashkëpunimi për shitjen përbën një sukses të rëndësishëm, duke nënvizuar se fragmentimi i tregut i dobëson prodhuesit.
Sipas Kryeministrit, edhe pse prodhimi mund të mbetet individual, bashkimi në fazën e shitjes është kyç për të ulur kostot dhe për të rritur të ardhurat.
“Jeni mbi 70 aktorë në fushën e prodhimit të vajit të ullirit. Nëse secili shet më vete, jeni më të dobët në treg, me kosto më të larta dhe pa kapacitet për të negociuar çmime me eksportuesit”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se krijimi i konsorciumeve u jep prodhuesve mundësinë të krijojnë masë kritike për negocim dhe të sigurojnë çmime më të favorshme, duke rritur vlerën e produktit të tyre në tregjet vendase dhe të huaja.
“Sa më të bashkuar të jeni në shitje, aq më shumë vlerë do të ktheni në fitim”, u shpreh Rama, duke shtuar se krijimi i strukturave të përbashkëta është thelbësor për rritjen e konkurrueshmërisë.
Kryeministri nënvizoi se qeveria do të vijojë mbështetjen për nismat e bashkëpunimit në bujqësi, përmes politikave të posaçme për shoqëritë e bashkuara bujqësore, të cilat i cilësoi si modele funksionale të organizimit modern në këtë sektor.
Rama nënvizoi se zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të vajit të ullirit kërkon investime të vazhdueshme dhe rritje të kapaciteteve prodhuese, duke e konsideruar këtë një drejtim strategjik për ekonominë bujqësore të vendit.
Kryeministri shtoi se qeveria po harton një program të ri kombëtar për të mbështetur zgjerimin e sipërmarrjeve, veçanërisht në sektorin bujqësor dhe agropërpunues.
Rama u shpreh se programi “Dyfisho ndërmarrjen tënde” do të synojë financimin e sipërmarrësve që kanë plane të qarta zhvillimi dhe projekte të mirëstrukturuara.
“Po formësojmë një program të ri kombëtar që e kemi quajtur ‘Dyfisho ndërmarrjen tënde’, i cili do të mundësojë financim për të gjithë ata që duan të rriten me një plan të qartë dhe një projekt bindës”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se suksesi i konsorciumit të prodhuesve të vajit të ullirit lidhet edhe me rolin aktiv të pushtetit vendor, duke veçuar angazhimin e bashkisë në krijimin e kushteve dhe pjesëmarrjen si palë në këtë nismë.
Sipas Kryeministrit, kjo është një qasje që qeveria synon ta forcojë më tej, duke inkurajuar bashkitë të luajnë një rol më aktiv në zhvillimin ekonomik lokal.
Në këtë kuadër, Rama nënvizoi se emërimi i Ervin Demos në krye të Ministrisë së Pushtetit Vendor synon pikërisht nxitjen e bashkive drejt sipërmarrjes dhe mbështetjen e iniciativave që forcojnë ekonominë vendore.

