Koleksionit mbresëlënës të çmimeve që Radio Klea ka ndërtuar gjatë dy dekadave të fundit, i është shtuar edhe një tjetër vlerësim i rëndësishëm në mbyllje të këtij viti, duke konfirmuar edhe një herë profesionalizmin, kreativitetin dhe seriozitetin e këtij institucioni mediatik.

Më 13 dhjetor, qyteti i Gjakovës u shndërrua për herë të 16-të në kryeqendrën e radiostacioneve shqiptare, duke mirëpritur festivalin mbarëkombëtar “Radiofest 2025”. Në këtë ngjarje prestigjioze morën pjesë mbi 20 radiostacione nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut, të cilat u përballën me prodhimet e tyre më cilësore në fushën e gazetarisë dhe marketingut radiofonik.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në sallën e koncerteve të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, ku u shpallën fituesit në kategoritë: spot publicitar, raport radiofonik dhe radio-reportazh. Në këtë garë të fortë profesionale, Radio Klea u vlerësua me çmimin e tretë në kategorinë e marketingut, një sukses që dëshmon vizionin dhe punën e qëndrueshme të stafit të saj.

Çmimet u akorduan nga një juri profesionale e përbërë nga emra të njohur të medias, ndërsa eventi u shoqërua me një program të pasur artistik, duke i dhënë festivalit një atmosferë festive dhe dinjitoze.

Ky është çmimi i katërt që Radio Klea fiton që nga viti 2012, vit kur u bë pjesë e këtij evenimenti mbarëkombëtar, i cili jo vetëm bashkon, por edhe vë përballë radiot shqiptare në një garë të shëndetshme profesionalizmi, cilësie dhe inovacioni.

Një tjetër sukses që e rendit Radio Klea ndër zërat më të besueshëm dhe më të vlerësuar të eterit shqiptar.

