Qeveria miratoi së fundmi ndryshime në buxhetin e vitit 2025, përmes një akti normativ që synon rritjen e efikasitetit në përdorimin e fondeve publike dhe mbështetjen e prioriteteve ekonomike dhe sociale të vendit.
Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të këtij akti është rritja e fondit për bonusin e pensionistëve, nga 3.7 miliardë lekë të parashikuar fillimisht në buxhetin e miratuar, në 9.7 miliardë lekë.
Ky fond shpërndahet në bazë të vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave, dhe synon të përmirësojë mbështetjen për pensionistët dhe kategoritë në nevojë.
Ndryshimet e miratuara nuk prekin parametrat makroekonomikë të buxhetit, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti apo borxhi publik, por kanë një karakter rialokues, duke rishpërndarë fondet brenda strukturës ekzistuese.
Ministria e Financave informoi sot se përmes këtij Akti Normativ parashikohet akomodimi i një volumi të përgjithshëm prej 21.8 miliardë lekë për shpenzime korente e kapitale, përmes rishpërndarjes së kursimeve dhe hapësirave të tjera fiskale, me fokus mbështetjen e prioriteteve të Qeverisë.
Nga këto, vetëm investimet me financim të brendshëm rriten në terma neto me 7.97 miliardë lekë, për të garantuar vijimin e projekteve të rëndësishme në infrastrukturë, digjitalizim, etj.
Sipas Ministrisë së Financave, përmes këtij Akti Normativ parashikohet gjithashtu rritja me 12.1 miliardë lekë të të ardhurave të përgjithshme, nisur nga tejkalimi i të ardhurave tatimore, doganore, por edhe i atyre të kontributeve shoqërore.
“Një element i rëndësishëm për t’u theksuar është ulja e deficitit buxhetor në nivelin 61.6 miliardë lekë ose 2.4% e PBB, nga 2.6% e PBB të miratuar në buxhetin fillestar 2025. Kjo ulje vjen kryesisht si rrjedhojë e menaxhimi të mirë të borxhit publik, por edhe kushteve më të favorshme të financimit, ndërkohë që balanca primare targetohet neutrale, në përputhje me rregullat fiskal të Ligjit Organik të Buxhetit”, theksoi MF.
Ministria e Financave do të vijojë të sigurojë konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi.