Punë, pasion dhe rezultate: U-14 e AF Elbasanit shkruan histori të bukur

Ekipi U-14 i AF Elbasanit ka dhënë një tjetër dëshmi force dhe karakteri, duke fituar 1-3 në transfertën e vështirë ndaj Skënderbeut në Korçë. Një sukses me peshë, jo vetëm për vlerën e kundërshtarit dhe fushën delikate, por edhe për rëndësinë që kishte kjo ndeshje në ecurinë e kampionatit. Me këtë fitore, verdheblutë janë shpallur kampionë dimri, duke grumbulluar 30 pikë në 11 ndeshje dhe duke konfirmuar vazhdimësinë e një sezoni shumë pozitiv.

Rrugëtimi i deritanishëm i kësaj skuadre pasqyron qartë punën e bërë gjatë gjithë vitit, përkushtimin e lojtarëve dhe frymën e grupit që është ndërtuar me kujdes. Në fushë, djemtë e AF Elbasanit kanë treguar jo vetëm cilësi teknike, por edhe personalitet dhe disiplinë taktike, elementë që rrallë shihen në këtë moshë.

Bëhet fjalë për një grup të talentuar lojtarësh, që po rriten së bashku dhe po ndërtojnë një identitet të qartë loje. Nën drejtimin e trajnerit Albano Dushku, skuadra ka ditur të menaxhojë presionin dhe të marrë maksimumin në ndeshjet vendimtare. Ky ekip nuk përfaqëson vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e futbollit elbasanas, duke dhënë sinjale të qarta se puna me bazën po jep frytet e saj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME