Në Komisionin e Reformës Territoriale, PS ka kërkuar që të vijojë puna me vetëm votat e mazhorancës, pas bojkotit të PD. Ndërkaq,Arbjan Mazniku ka dhënë një tjetër propozim, për të cilin thotë se deri më tani është ide e tij, të cilën e ka dhënë edhe në komisionin e parë.
“Në atë kohë jam pyetur për të dhënë mendim. Mendoj se Kamza dhe Vora duhet të jenë pjesë e një bashkie. Ky mendim kalon në filtrin publik, të komisionit dhe më pas në seancë”, tha ai, duke nënkuptuar se Paskuqani duhet të jetë në Tiranë.
Gjithashtu, ai shton se reforma duhet të realizohet brenda muajit korrik, në mënyrë që qytetarëve më pas t’u sqarohet ndarja e re.
“Paskuqani do të menaxhohej më mirë të bashkohet me Tiranën, apo Kamzën? Për këtë duhen pyetur më parë banorët, ku e shohin më mirë që të qeverisen. Së dyti, të ofrojmë shërbimin sa më afër personit sa është e mundur të ofrohet. Pra jo vetëm në letër”, tha Mazniku, duke shpjeguar propozimin për të cilin thotë se është ende personal.
Megjithatë, duke theksuar se gjithçka do të vendoset në bazë të analizës së shërbimeve, pritet që në të 61 bashkitë e vendit të ketë ndryshime.

