Në një takim institucional të mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Qarku Fier, nderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor, Ilir Proda, me Çertifikatë Mirënjohjeje, për bashkëpunimin shembullor, transparent dhe të menjëhershëm me median.
Ky vlerësim u cilësua si një moment domethënës për forcimin e dialogut mes medias dhe institucioneve të sigurisë, duke e konsideruar Policinë e Shtetit si një partner strategjik në shërbim të interesit publik dhe standardeve europiane të informimit.
Përfaqësues të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Qarku Fier, mes tyre kryetari Vladimir Muçaj, njëkohësisht, drejtor i medias online, “NewsAlbania”, gazetarët Mariglen Bita dhe Ervis Profka i Fieriweb.com, si dhe gazetari i mirënjohur Fatmir Popja, i dorëzuan Drejtorit të Përgjithshëm, Ilir Proda, çmimin me motivacionin:
“Për kontribut të veçantë në forcimin e transparencës institucionale dhe përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe medias. Puna juaj ka ndikuar pozitivisht në krijimin e një klime besimi, respekti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, duke e bërë informacionin publik më të aksesueshëm dhe komunikimin me gazetarët më efikas”.
Nga ana e tij, Drejtues Madhor, Ilir Proda, e cilësoi transparencën me median kulturë pune, jo thjesht detyrim ligjor. Duke falënderuar UGSH Fier për vlerësimin, ai u shpreh se kjo çertifikatë është një nder për të gjithë strukturat e Policis, që prej kohësh e konsiderojnë median një bashkëpunëtor të domosdoshëm në përmbushjen e misionit të tyre.
“Gazetarët janë gur themeli i një shoqërie demokratike. Janë ura që lidhin Policinë me qytetarët. Për ne, transparenca dhe komunikimi i hapur me median nuk janë vetëm detyrim, por një bindje që udhëheq çdo ditë punën tonë. Do të jemi gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim të ndershëm dhe efikas”.
Ai shtoi se Policia e Shtetit ka ngritur tashmë një protokoll sigurie për mbrojtjen e gazetarëve dhe një pikë kontakti specifike për të adresuar shqetësimet dhe denoncimet e tyre në kohë reale. Nga ana e tij, kryetari i Unionit të Gazetarëve për Qarkun Fier, Vladimir Muçaj, e cilësoi këtë vlerësim si një dëshmi e progresit që ka bërë Policia e Shtetit në krijimin e një kulture të re bashkëpunimi me median:
“Për herë të parë kemi një drejtues të Policisë që i përgjigjet menjëherë kërkesave të gazetarëve dhe komunikon në kohë reale, pavarësisht ngarkesës. Ky është një standard i ri që duhet përshëndetur dhe ndjekur nga të gjitha institucionet publike”.
Gjatë takimit, u diskutua edhe mbi sfidat dhe mundësitë e përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Policisë së Shtetit dhe medias, me theks te:
• rritja e aksesit në informacionin zyrtar,
• garantimi i raportimit korrekt të ngjarjeve kriminale,
• menaxhimi i komunikimit në situata emergjente,
• ruajtja e balancës mes interesit publik dhe proceseve ligjore.
Një moment i veçantë i takimit ishte edhe dhurimi i një libri nga gazetari Mariglen Bita, që trajton sfidat e profesionit të gazetarit dhe marrëdhënien me institucionet publike në Shqipëri.
Takimi përmbylli në një frymë bashkëpunimi, angazhimin e të dyja palëve për thellimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe komunitetit gazetaresk, mbi bazën e transparencës, profesionalizmit dhe respektit të ndërsjellë.
albaniaexpress.al