Nga Artin Halili
Në zemër të një prej krahinave më të lashta dhe të pasura të Shqipërisë, Mokra, u mbajt edicioni i gjashtë i “Mokra n’Fest”, një festë që ngre në piedestal trashëgiminë, zakonet, natyrën dhe shpirtin mikpritës të mokrarëve. Këtë vit, si një thirrje që vjen nga shekujt, festa u zhvillua pranë “Urës së Gurit” në Golik, një monument kulture i kategorisë së parë, që dikur mbante mbi shpinë karvanët e rrugës Egnatia, e sot u bë urë lidhëse mes brezave, kulturave dhe zemrave që rrahin në të njëjtin ritëm: atë të Mokrës.
Ledjan Zeqollari, Drejtor i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Pogradecit, gjatë fjalës së tij përshëndetëse para të pranishëmve theksoi rëndësinë e kësaj feste që vit pas viti vjen në rritje.
“Festa e Mokrës festohet për herën e tretë pranë urës së Golikut. Është një urë historike që i përket shekullit të XVII, pjesë e degëzimit të rrugës Egnatia. Mokra ka pasuri të jashtëzakonshme kulturore dhe këtë vit, falë promovimit, kemi një numër të madh vizitorësh”, u shpreh ai.
Mokra n’Fest nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një përjetim i gjallë i zakoneve të rralla që ruhen me fanatizëm. Vizitorët patën rastin të shijojnë nga afër gatime autentike si mishi në hell, byreku me brumë të trashë, kulaçi, sodanikët me miell misri, si dhe produktet e freskëta të tokës mokrare. Dhe siç e kërkon zakoni, asnjë mik nuk largohet pa ngritur një dolli me raki kumbulle, e cila, në Mokër, pihet me zemër nga burra e gra njësoj.
Një banore e kësaj zone rrëfen me krenari përjetimet e kësaj dite.
“Mokra njihet për tradita, për punë dore, për byrekun, mishin, fasulet… këtu bëhen dolli me raki si burrat ashtu edhe gratë”.
Nami i mirë i mokrarëve ka kaluar kufijtë. Mbi 4 mijë të pranishëm, vendas e të huaj, nga jugu në veri e deri nga Rumania, iu bashkuan festës për të përjetuar magjinë e Mokrës.
“Kam ardhur nga Peshkopia në këtë festë.Hera e parë që vij në Mokër. Është shumë bukur, atmosfera e mrekullueshme.”, u shpreh një vizitore.
Një tjetër, nga jashtë kufijve, tha: “Jam nga Rumania, kam burrin shqiptar, vjehrri im është nga Mokra. Kjo është hera e dytë që vij, dhe nuk do jetë e fundit!”
Festa u shoqërua me tingujt e muzikës tradicionale, vallet popullore dhe vallet dyshe të burrave që elektrizuan atmosferën. Spektakli u kurorëzua me performanca ajrore nga grupi i të guximshmes Fiona Rushiti, ndërsa nata u përmbyll me kamping në natyrë, një përqafim simbolik mes kulturës dhe ekologjisë.
Në këtë festë të rrënjëve dhe zemrës, në këtë udhëtim përmes kohëve të Mokrës, gjithçka u ndërthur me mençurinë dhe fisnikërinë e kësaj treve, siç shkruante mjeshtri Dritëro Agolli:
“Në të lashtën Mokrës, me thinja mençurie dhe shpirt fisnikërie.”