Plumbi që del nga goja!

Nga Lutfi Dervishi

(Reflektim mbi një tragjedi që Konica e parashikoi një shekull më parë)

“Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… ata që nuk kanë frikë nga plumbi, dridhen nga Valiu.”
Faik Konica, Vepra 1, f. 271-272

Një shekull më parë, Faik Konica dukej sikur e njihte mirë “kafen e fundit”. E përshkroi, siç dinte ai, një trimëri që ndizet për fjalë të kota e shuhet për ide të mëdha. Sot, në Manëz, u vranë dy të rinj për një filxhan, që nuk u mbush dot me kafe.

Dy jetë më pak. Dy familje në zi. Një qytet i shokuar dhe një shoqëri që pret gjëmën e radhës.

Pse?

Pse vritemi kot?
Për një shezlong?
Për një vend parkimi?
Për një gërvishtje makine?
Për një “pse më pe”?
Për një vijë uji?
Për…pse ke ndezur dritat e gjata të makinës?
Për një fjalë?
Pse ky reagim primitiv që ndizet më shpejt se ekspresi i kafesë?

A është ngjarja në Manëz krim apo pasqyrë e një sëmundjeje të shoqërisë?

Në çdo “debat” televiziv, në çdo përballje në Parlament, në çdo status në Facebook, në çdo sherr në rrugë, e njëjta frymë, e njëjta ngafurrje: “E di ti kush jam unë?!”

Kjo ngrefosje që nuk njeh as rregull, as autoritet, por vetëm maninë për t’u ndjerë “trim” mbi tjetrin, është plumbi i vërtetë.

Kultura e dhunës e ka vënë përfund kulturën e dialogut. Arroganca dhe kapërdisja i kanë hapur udhë vetëgjyqësisë.
Policia vjen pas krimit, por krimi nis në mendje. Dhe në mendje nuk patrullon askush.

Duhet çarmatosur mendja, përpara se të ndëshkojmë vetëm armëmbajtjen.
Duhen edukuar fëmijët, jo me “po ti ku i kishe duart?, por me “mos i fol askujt keq”…

Konica nuk do të turpërohej sot. Ai thjesht do të zhgënjehej duke lexuar lajmet e ditës. Ai nuk do të pyeste: “Si arriti shqiptari ta bëjë plumbin më të shpejtë se fjalën dhe logjikën?”
Ai do të thoshte: “Ja ku jeni! Nuk keni më frikë nga Valiu, por as keni më respekt për jetën. Trimëria juaj nuk u bë kurrë e artë. Ajo mbeti e teneqejtë. Dhe tani, një shekull më pas, ajo po vret veten.”
Vritemi për një filxhan kafe, sepse më parë kemi vrarë mendimin. Kemi vrarë fjalën! Dhe kur fjala vdes, as jeta nuk ka më çmim!

Një shekull më parë, Konica e pa këtë plagë dhe e quajti “trimëri teneqeje”.
Një shekull më pas, kjo teneqe tingëllon çdo ditë në ekranet tona, në rrjetet tona, në rrugët tona.

Derisa të mësojmë ta duam jetën më shumë se “krenarinë”, çdo filxhan kafe mund të bëhet kafe morti.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Zgjedhjet e majit nën vëzhgimin ndërkombëtar: raport shqetësues i OSBE/ODIHR

OSBE/ODIHR ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të...

Mesazh kërcënues për zyrtarin misterioz në Elbasan, për cilin institucion bëhet fjalë

Një ngjarje e shqetësueshme ka ndodhur në qytetin e...

Një shkollë për brezat e rinj në Elbasan, rikonstruksion i plotë në “Dhaskal Todri”

Gjimnazi i njohur “Dhaskal Todri”, një nga institucionet më...