TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Tirana është kthyer në një qendër atraksioni turistik jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt që vijnë nga rajoni, Evropa dhe gjithë bota.
Kryeqyteti shqiptar ofron një gamë të pasur të të gjithë formave të turizmit, nga ai kulturor, historik, arkitekturor, kulinar, madje dhe turizmin e natyrës dhe atë malor në zonat përreth Tiranës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të turistëve, të cilët në grupe të mëdha kanë zgjedhur të vizitojnë Tiranën, ndërsa u shpreh “vjeshtë turistike”.
Turistët janë ndalur tek Piramida e Tiranës, që tashmë është një qendër inovacioni dhe kulture me kuti shumëngjyrëshe, shkallë dhe pjesë rrëshqitjeje.
Piramida është pjesë e listës së atraksioneve që turistët mund të shohin nga afër në Tiranë, ndërsa po kthehet edhe në një nga qendrat më të mëdha rajonale për inovacionin.
Gjithashtu, Piramida është edhe një stacion i turizmit dhe dëshmi e historisë, se si një ish-muze i diktatorit Enver Hoxha është kthyer në një pikë atraksioni për vendasit dhe të huajt.
Numri i turistëve ka ardhur gjithnjë në rritje, kjo falë edhe eventeve të ndryshme të organizuara në kryeqytet, sportive dhe artistike, të cilët kanë sjellë vizitorë të huaj si edhe nga trevat shqipfolëse.
Tirana ka rreth 56 objekte të trashëgimisë kulturore dhe 141 pika turistike si Kulla e Sahatit, e cila u rihap në qershor 2016 pas rikonstruksionit të kryer, Piramida, Muzeu “Shtëpia me gjethe”, Bunk’Art 1 dhe 2, sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja edhe shumë pika të tjera për t’u vizituar.