Nga Mariglen Miraka
Kur të gjithë po pushojnë në këto ditë të nxehta, në palestrën e Shtërmenit po vijojnë pa ndërprerje seancat stërvitore. Sipas trajnerit të mirënjohur Leonard Toska, vetëm me punë mund të arrish me sukses objektivat. “Po stërvitemi fort me dy seanca në ditë, pa pushuar fare. Nëse do të arrijmë sukseset që kemi premtuar, na duhet punë e madhe për garat e forta që na presin”, u shpreh fillimisht Toska.
Duke folur për objektivat e ardhshëm, ai tregon: “Kemi tre të tilla në tetor dhe për këtë gjë po përgatitemi më shumë se maksimalisht. Do të konkurrojmë në peshat e reja, ku kampioni Ertjan Kofsha do të garojë tashmë në peshën 94 kg. Në garën e kontrollit që bëmë përpara pak ditësh, Kofsha theu rekordin me 161 kg. Kjo nuk është pak dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm, duke mos e ndalur për asnjë moment stërvitjen. Forma e talentit Kofsha është e mirë dhe kjo më gëzon shumë dhe për këtë jam optimist”, vijoi më tej tekniku shtërmenas.
I pyetur për pritshmëritë në vitin 2025, Toska shprehet i bindur tek arritjet, teksa ka një falenderim edhe për mbështetjen. “Kam besim që viti 2025 do të jetë viti ynë, pasi kemi lënë pas edhe garën jo të mirë të Perusë. Kofsha, përveç garave që do ketë, po përgatitet edhe për Lojrat Olimpike, ku do fillojë që tani të mbledhë pikët e mundshme. Mbështetja vazhdon të jetë e madhe, si nga Bashkia Cërrik ashtu edhe nga federata, të cilët i falënderoj”, përfundoi Leonard Toska.