Nga Mentor Kikia
Në vitin 1992, në muajt prill dhe korrik, mafia në Siçili vrau gjyqtarin Xhovani Falcòne dhe prokurorin Paolo Borselino. Ceremonitë e varrimit të tyre u shndërruan në manifestime të mëdha qytetare (fotot 1 dhe 2). Ato u bënë shkas për nisjen e një reagimi masiv popullor kundër mafias, që ishte bërë njësh me politikën.
Në Tiranë, u vra një gjyqtar në sallën e gjyqit, ndërsa shpallte vendimin “Në emër të Republikës”. Jo nga mafia, por nga një njeri që mendonte se po i bëhej një padrejtësi. Në homazhet e tij morën pjesë vetëm politikanë, që bënë foto për rrjetet sociale (foto 3).
Po populli?
Shumë, po shumë njerëz e mbështetën vrasjen dhe vrasësin. E quajtën hero, “Avni Rustemin e kohës tonë”. Kjo ishte e tmerrshme. Por nuk kishte qenë fundi. Dy ditë më pas bëhet publik lajmi se një i afërm i autorit kishte hapur një llogari për mbledhje fondesh, për të mbrojtur autorin e krimit (foto 4). Lexova disa qindra mesazhe të atyre që komentonin mbi lajmin e publikuar. Me siguri të plotë, 95% e tyre ishin pro tij, ishin gati të kontribuonin me para ose frymëzonin mbështetësit.
Sa thellë jemi rrëzuar si shoqëri?
Në ç’gropë të historisë kemi rënë?
Por, para se ta quajmë vetëm përbindësha, të pakulturë, që nuk dimë të bëjmë dhe nuk respektojmë shtet, a mund t’i përgjigjemi dot një pyetjeje?
Përse arritëm këtu?
Autori, Elvis Shkambi, vrau gjyqtarin Astrit Kalaja. Dhe për këtë ai duhet ta kalojë jetën në burg. Por, për qytetarët që e mbështesin, ai vrau GJYKATËSIN, si përfaqësues i drejtësisë së korruptuar. Si përfaqësues i shtetit të korruptuar. Si përfaqësues i qeverisë dhe parlamentit të korruptuar. Si përfaqësues i politikës së korruptuar.
Aty lexohet mllefi i njerëzve që janë viktima të padrejtësisë, korrupsionit, mashtrimit, zhgënjimit, vjedhjes… Njerëzve që nuk besojnë më se të drejtën dhe të mirën mund t’i sigurojnë duke votuar, reaguar, duke protestuar, duke u rebeluar ndaj së keqes, por thjesht duke vrarë. Duke vrarë gjyqtarin, prokurorin, deputetin, politikanin, ministrin, kryetarin e bashkisë, kryeplakun, fqinjin… Atë që nuk e ndryshon dot me mjetet demokratike, kërkon ta bëjë me armë, me gjak.
Ndaj, kjo gjendje nuk duhet të kalojë me “dënimin maksimal të autorit të krimit”; ajo duhet të lexohet me të gjithë dimensionin e saj. Jemi në një kohë kur populli është gati të kapë armët kundër shtetit të vet. Nëse nesër këtë popull e thërret nën armë për të mbrojtur Atdheun, ai më parë do ia kthejë armën shtetit të tij sesa armikut. Sepse populli shtetin nuk e shikon më si mbrojtës, por si armik. Kjo është e vërteta e madhe ku jemi rrëzuar.
Ndaj ne nuk duhet të dënojmë thjesht një vrasës, por duhet të fillojmë të rregullojmë marrëdhënien armiqësore mes popullit dhe shtetit. Dhe për këtë fajtor është shteti.