Tensionet brenda Partisë Demokratike në Elbasan janë thelluar, pas akuzave të forta të ngritura nga Doris Madhi për përjashtimin e saj nga anëtarësia, ndërsa dega lokale ka reaguar me një deklaratë zyrtare ku sqaron arsyet e këtij vendimi. Palët paraqesin versione të kundërta për situatën, duke e kthyer çështjen në një debat të hapur politik në prag dhe gjatë procesit zgjedhor në degë.
Nga njëra anë, drejtuesja e grupit të këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, akademikja Doris Madhi, e cilëson vendimin si të padrejtë dhe në shkelje të rregullave statutore. Nga ana tjetër, Partia Demokratike në Elbasan argumenton se përjashtimi i saj është bërë në përputhje me rregullat, për shkak të angazhimit të saj në krah të një subjekti tjetër politik.
Deklarimet e znj.Doris Madhi
Doris Madhi ka denoncuar të dielën publikisht përjashtimin e saj nga lista e anëtarësisë së PD-së në Elbasan, duke ngritur akuza për manipulim të procesit zgjedhor dhe ndërhyrje politike.
Ajo bëri me dije se emri i saj nuk figuron në listat e anëtarësisë, ndonëse ka qenë pjesë e Partisë Demokratike prej afro tetë vitesh dhe një nga zërat aktivë në strukturat lokale.
Sipas saj, vendimi për pezullimin e anëtarësisë është marrë jashtë çdo afati dhe pa respektuar procedurat statutore, duke e cilësuar të gjithë procesin si të parregullt.
Madhi ka drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj deputetit të PD-së, Blendi Himçi, për të cilin shprehet se po ndikon në mënyrë të padrejtë në procesin zgjedhor në Elbasan, për interesa personale dhe politike.
“Vendimet merren në mënyrë arbitrare dhe jashtë çdo rregulli. Ky proces nuk është më demokratik,” është shprehur ajo, duke shtuar se nga strukturat janë përjashtuar edhe figura të tjera.
Ajo theksoi gjithashtu se procedurat për përjashtimin e një anëtari duhet të respektojnë afate të qarta sipas statutit të PD-së, gjë që sipas saj nuk ka ndodhur në këtë rast. Në deklaratën e saj, Madhi ngriti dyshime për vendimmarrje të motivuar politikisht dhe për ndikime të brendshme që, sipas saj, dëmtojnë integritetin e Partisë Demokratike në Elbasan.
Pavarësisht situatës, ajo u shpreh e vendosur të vijojë angazhimin e saj politik dhe përfaqësimin e qytetarëve në Këshillin Bashkiak.
Deklarata e plotë e PD Elbasan
Në reagimin zyrtar, Dega e Partisë Demokratike Elbasan ka sqaruar arsyet e përjashtimit të Doris Madhit nga anëtarësia:

Deklaratë e Degës së Partisë Demokratike Elbasan
Në lidhje me reagimin e znj. Doris Madhi, sqarojmë opinionin publik se:
• Znj. Doris Madhi nuk ka qenë e përfshirë në fushatën e zgjedhjeve të 11 Maj në krah të Partisë Demokratike.
• Ajo është angazhuar maksimalisht në krah të subjektit politik Partia Socialdemokrate (PSD), duke bërë thirrje publike në rrjetet sociale që demokratët të votonin kandidatin e PSD për qarkun e Elbasanit.
• Gjatë procesit të numërimit të votave në Prrenjas, znj. Madhi ka qenë e angazhuar si vëzhguese e PSD.
Në zbatim të Udhëzimit nr. 01, datë 20.01.2026 dhe në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike, kryesia e degës së PD Elbasan ka marrë vendim unanim për largimin e saj nga listat e anëtarësisë, për shkak të shkeljeve të rënda në veprimtarinë e saj si anëtare e PD-së.
Ky vendim është i bazuar në parimet e transparencës dhe respektimit të rregullave statutore, dhe bëhet publik për të sqaruar qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë demokratët.
Deri në këtë moment, nuk ka një reagim zyrtar nga deputeti Blendi Himçi apo strukturat qendrore të Partisë Demokratike lidhur me akuzat e ngritura, ndërsa situata në degën e Elbasanit vijon të shoqërohet me tensione dhe përplasje të brendshme.

