Nga Artin Halili
Qyteti i Pogradecit përkujtoi këtë fundjavë me nderim 81-vjetorin e çlirimit të tij duke përkujtuar ata që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Në kuadër të kësaj dite të shënuar, qytetarët zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora pranë Lapidarit të Brigadës XV Sulmuese, për të nderuar sakrificën e dëshmorëve.
Pjesë e këtij përkujtimi ishte gjithashtu hapja e një ekspozite të veçantë, ku u shfaqën foto dhe dokumente historike që sollën në kujtesë lëvizjet patriotike dhe ditën e lavdishme të çlirimit.
Ekspozita na kujtoi se liria nuk është një dhuratë, por një sakrificë e madhe, e paguar me gjakun e dëshmorëve.
Ky përkujtim shërben gjithashtu si një thirrje për brezat e rinj, që të mbajnë gjallë idealet e lirisë dhe të ruajnë me krenari amanetin e atyre që sakrifikuan për të ardhmen e kombit.