Përfundon seanca në Gjykatën Kushtetuese për Veliajn, vendimi pritet në vijim

Pas rreth shtatë orësh, përfundoi seanca plenare publike në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e ankimimit të Erion Veliajt për ligjshmërinë e shkarkimit të tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, njoftoi përfundimin e seancës dhe bëri të ditur se vendimi se data dhe ora specifike për shpalljen e vendimit do të bëhen të ditura publikisht në vijim.

Pasi seanca u mbyll, Veliaj u largua nga ambientet e Gjykatës Kushtetuese. Ai u shoqërua menjëherë nga Policia e Burgjeve, duke u nisur sërish drejt paraburgimit në Durrës.

Gjatë seancës, Veliaj dhe mbrojtja e tij ligjore kërkuan anulimin e vendimit të qeverisë. Veliaj tha se shkarkimi i tij nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës është një shkelje e rëndë e parimeve themelore të demokracisë.

Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave dhe Presidenca mbrojtën pozicionet e tyre duke thënë se kanë vepruar brenda kuadrit ligjor dhe duke kërkuar në fund shpalljen e moskompetencës për ankimin e Veliajt, që sipas tyre duhej t’i ishte drejtuar Gjykatës Administrative.

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn me 50 vota pro, pas propozimit të këshillit bashkiak duke u mbështetur në ligjin për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë.

Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, i cili me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese u pezullua deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”, kërkuar nga SPAK.

Veliaj akuzohet në 9 raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME