Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka njoftuar për përfundimin me sukses të restaurimit të Urës së Niçës, duke e shpëtuar atë nga rreziku i shembjes. Kjo urë, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, përfaqëson një nga dëshmitë më të rëndësishme të trashëgimisë sonë inxhinierike dhe rrugore. Ajo kishte pësuar dëmtime serioze strukturore, të cilat e kishin vënë në rrezik ekzistencën e saj.
Në vitin 2023, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë ndërhyri me masa emergjente për stabilizimin e strukturës, duke parandaluar dëmtimet e mëtejshme. Ndërsa falë fondeve të siguruara nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për vitin 2025, u realizua restaurimi i plotë, i cili jo vetëm e forcoi urën, por edhe evidentoi vlerat e saj historike e kulturore.
Ura e Niçës ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër në krahinën e Gorës. E ndërtuar prej guri dhe me një hark të vetëm, ajo daton në shekullin XVIII. Megjithatë, rruga mbi të cilën shtrihet është shumë më e vjetër, duke qenë një degëzim i Rrugës Egnatia, që lidhte Përrenjasin me Gurin e Kamjes, Niçën, Llëngën e zona të tjera përreth. Ura ka përmasa modeste, me gjatësi rreth 6 metra dhe lartësi rreth 3 metra, duke lidhur dy brigjet e një përroi.



