Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, depozitoi sot kërkesën për zhvillimin e mocionit me debat në Kuvend, për masat e marra nga qeveria për luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar.
Në kërkesë grupi parlamentar i PD, i referohet raporteve ndërkombëtare, përfshirë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku sipas PD-së flitet për pastrimin e parave të krimit të organizuar në ndërtime dhe vepra publike.
Sipas PD-së, gjetjet e raporteve “tregojnë se fenomeni i krimit të organizuar dhe pastrimit të parave mbetet shqetësues, me ndikime në ekonomi, media dhe integritetin zgjedhor”.
PD nënvizon se “në vlerësimin tonë, Kuvendi i Shqipërisë duhet të diskutojë mundësinë për një strategji kombëtare të luftës me tolerancë zero në këtë drejtim dhe masave që ka marrë Qeveria shqiptare deri më tani”.
Kërkesa është firmosur nga deputetët Klevis Balliu, Gazment Bardhi, Isuf Çelaj, Blendi Himçi, Klodjana Çapja, Fidel Kreka, Klit Hoti.

