Partia Demokratike e nisi seancën e parë të kësaj legjislature me të njëjtin skenar: bllokim të foltores. Sali Berisha foli jashtë rendit të ditës, ndërsa drejtuesi i seancës, Vasil Llajo, i mbylli fjalën.
“Le të tregojmë që jemi të respektueshëm ndaj rregullores së Kuvendit dhe gjykimet tuaja në seancat në vijim. Ju lutem shumë. Profesor i dashur, me respektin që kam ndaj jush si pedagogu im, të lutem të respektojmë rregulloren. Noka, jemi kolegë bashkë,” iu drejtua Llajo Berishës.
Teksa Partia Demokratike vijoi me tensione edhe në këtë seancë, kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetin “X”. Ai shkroi se në lidhje me situatën e krijuar ka reaguar Diella, ministrja më e re e qeverisë së re të krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
“Diella pa parlamentin sot dhe sapo më tha: ‘Humbës nuk është kush rrëzohet, po ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet?’ e pyeta. ‘Kurrë mos e pengo,’ tha, ‘kundërshtarin që po gabon’,” shkruan Rama në “X”.