Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan u zhvillua sot seanca për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë për personat e arrestuar gjatë operacionit policor të koduar “Fast”, zhvilluar pak ditë më parë në një lokal pranë segmentit rrugor Elbasan–Ish-Metalurgji, në fshatin Katund i Ri.
Operacioni u drejtua nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe u realizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën e Posaçme Operacionale, pas administrimit të informacioneve operative mbi veprimtari të dyshuar kriminale në zonë.
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e lokalit në pronësi të Taulant Zykollarit, policia kapi në flagrancë 14 persona, të cilët sipas burimeve zyrtare kanë precedentë penalë të theksuar në fushën e krimeve kundër personit dhe narkotikëve, duke përbërë rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Gjykata caktoi masat e mëposhtme të sigurisë:
- Arrest me burg: Akil Kërtusha (49 vjeç), Egi Caushi (32 vjeç), Maksim Suçi (47 vjeç), Stefan Memelli (46 vjeç)
- Arrest në shtëpi: Ergys Tusha (39 vjeç), Ansen Mullai (25 vjeç)
- Detyrim paraqitjeje: Ervin Cani (36 vjeç), Jurges Mullai (30 vjeç), Blerim Heta, Taulant Zykollari (52 vjeç), Arjan Dada (49 vjeç), Endri Dada (29 vjeç)
- Pa masë sigurie (i mitur): Juxhino Zykollari (17 vjeç)
Gjatë kontrollit dhe operacionit u sekuestruan:
- 3 armë zjarri (pistoleta) dhe municion luftarak
- Dorezë elektroshoku (neuroparalizuese)
- 4 radio komunikimi të ngjashme me ato të Policisë
- Jelek me mbishkrimin “Policia”
- Pajisje që ngjajnë me armë zjarri dhe sinjalizues në formë pistolete
- Thikë, shkop metalik
- Shuma të konsiderueshme parash
- 4 automjete, 13 celularë dhe pajisje DVR sigurie
Materialet hetimore vijojnë në Prokurorinë e Elbasanit, ndërsa hetimet synojnë të zbardhin veprimtarinë e plotë të grupit dhe lidhjet e mundshme me ngjarje të tjera kriminale në rajon.