Pas debateve në parlament, SHBA nxit palët për rikthim të normalitetit

Debatet e javëve të fundit në parlament, të shoqëruara me akuza nga opozita për kufizim të lirisë së fjalës dhe përjashtim të zërit të pakicës, kanë sjellë një takim mes të ngarkuarës me punë të ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, dhe dy kryetarëve të grupeve parlamentare Taulant Balla dhe Gazment Bardhi.

Në reagimin e publikuar nga Ambasada Amerikane, theksi u vu te nevoja për rikthimin e normalitetit në jetën parlamentare dhe garantimin e hapësirës për fjalën e lirë në Kuvend.

“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn zhvilloi sot diskutime frytdhënëse me kryetarët e grupeve parlamentare, duke i angazhuar ata në planet e tyre për të përmbushur pritshmëritë e popullit shqiptar. Ajo theksoi se dialogu konstruktiv dhe liria e fjalës janë shtylla të institucioneve të forta politike. Ambasada e Shteteve të Bashkuara pret të bashkëpunojë me përfaqësues nga i gjithë spektri politik për t’i bërë vendet tona më të sigurta dhe më të begata”, thuhet në deklaratë.

Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u shpreh se biseda është fokusuar te dialogu dhe te agjenda legjislative, sidomos në kuadër të reformave të lidhura me procesin e integrimit europian.

“Vlerësojmë mbi gjithçka rolin udhëheqës të Presidentit Trump dhe përpjekjet e SHBA për paqe dhe siguri kudo në botë. Javën e kaluar, nën drejtimin e Kryeministrit Rama, Shqipëria shënoi një moment vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me çeljen e grupkapitullit të fundit të negociatave në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel”, deklaroi Balla.

Ai shtoi se takimi trajtoi edhe mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit amerikan, përmes një memorandumi të posaçëm.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, dha një qëndrim dukshëm më kritik pas takimit.

“Sot, gjatë takimit me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike. Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës”, u shpreh Bardhi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME