Klubi i Partizanit ka bërë sot një tjetër afrim në merkato, teksa ka zyrtarizuar kthimin e radhës të të kuqve të brazilianit Viktor Da Silva. Një afrim i menduar për të shtuar forcën në repartin e avancuar, për më tepër me një lojtar i cili njeh klubin pasi ka qenë pjesë e tij edhe tre vite më parë, kur të kuqtë u shpallën kampionë.
Por jo të gjithë e shohim këtë si një hap para të Partizanit dhe për më tepër, si një lëvizje të menduar mirë të drejtuesve të klubit kryeqytetas. Një prej tyre është edhe ikona e kësaj skuadre, Ledjo Pano, i cili ka bërë një koment befasues në postimin në Facebook të klubit kryeqytetas.
“Hahaha filluan pushtlleqet. Bravooo vazhdoni. Turp”, ishte komenti i ish-futbollistit të njohur të Partizanit dhe Kombëtares, që ka marrë menjëherë shumë pëlqime nga ndjekësit e klubit të kuq. Nuk dihet se kujt i drejtohej specifikisht ky koment, por duket qartësisht që Pano nuk është i kënaqur me mënyrën se si po drejtohet klubi kryeqytetas dhe lëvizjet e fundit brenda tij.