Skema, e cila do të zgjasë tre vjet, synon të ulë barrën e borxheve tatimore për bizneset dhe individët, duke fshirë një pjesë të detyrimeve të akumuluara ndër vite.
Qeveria ka parashikuar që nga janari i vitit 2026 të nisë zbatimin e nismës “Paqja Fiskale”, një ndër kartat kryesore të fushatës elektorale të socialistëve në aspektin ekonomik.
Skema, e cila do të zgjasë tre vjet, synon të ulë barrën e borxheve tatimore për bizneset dhe individët, duke fshirë një pjesë të detyrimeve të akumuluara ndër vite.
Sipas të dhënave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, aktualisht borxhi tatimor i papaguar në vend arrin në 175,5 miliardë lekë, ose rreth 1,7 miliardë euro.
Nga kjo shumë, 107,7 miliardë lekë (1 miliard euro) përfaqësojnë vetë detyrimet, ndërsa 59,7 miliardë lekë (597 milionë euro) janë gjoba dhe 8,1 miliardë lekë (81 milionë euro) janë interesa.
Tre kategori përfitimi
Detyrime më të vjetra se 10 vjet – Praktikisht, borxhet e krijuara deri në vitin 2016 do të fshihen plotësisht. Bëhet fjalë për rreth 355 milionë euro, nga të cilat do të çlirohen mbi 213 mijë tatimpagues.
Borxhe deri në 5 vjet – Kjo kategori, me vlerë 62,9 miliardë lekë (630 milionë euro bashkë me interesat), përfiton fshirje të gjobave dhe kamatave, por detyrimi kryesor duhet paguar.
Borxhe nga 5 deri në 10 vjet – Subjektet që shlyejnë detyrimin me një këst përfitojnë ulje 50% të gjobave dhe kamatave. Nëse pagesa kryhet me këste të shumta, lehtësimi është 25%. Vlera e këtyre borxheve arrin në 72,7 miliardë lekë (727 milionë euro).
Një nga dilemat më të mëdha që shoqëron këtë nismë ndërkaq lidhet me detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore.
Nëse këto përfshihen në “Paqen Fiskale”, lehtësimi i bizneseve mund të kthehet në penalizim për qytetarët, pasi ulja e viteve të punës së deklaruar do të ndikonte drejtpërdrejt tek pensionet e tyre.
Qeveria e sheh këtë nismë si një hap të domosdoshëm për të rivënë në qarkullim ekonominë dhe për t’i dhënë bizneseve frymëmarrje, por ekspertët theksojnë se efektet e saj duhet të maten me kujdes për të mos krijuar një “spiral borxhesh” të përsëritur.