Nga Enrik Mehmeti
Jam një nga ata që e ka përjetuar nga afër tragjedinë e Otrantos. Kam humbur njerëz të afërt që u nisën me një foshnje në krahë, për një të ardhme më të mirë…Ne ishim në radhë për të hipur familjarisht në “Katërin e Radës”, por nuk nuk kishte më vende.
Që nga ajo ditë, e kam ndjekur këtë histori në çdo hap. Që nga momentet kur trupat u kthyen në atdhe, te dhimbja që mbuloi çdo familje, e deri te kalvari i gjatë i proceseve gjyqësore në Lecce dhe Romë. Vite të tëra përballje me një realitet të vështirë, ku edhe dëmshpërblimi për jetët e humbura u kthye në një histori më vete, me një avokate hajdute që mori atë pak dëmshpërblim që i takonte disa prej familjeve.

Plaga e Otrantos mbetet, për mua, tragjedia më e madhe që ka njohur ndonjëherë vendi ynë.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo nuk duhet të mbetet vetëm një kujtim. Duhet të ketë një simbol të përhershëm. Një monument edhe në Vlorë – për të kujtuar jo vetëm humbjen, por edhe sakrificën e atyre njerëzve që u nisën drejt një jete më të mirë dhe nuk mbërritën kurrë.
Një monument i tillë ekziston në Otranto. Por plaga është e shqiptarëve…
Ndoshta kjo tragjedi nuk do të marrë kurrë një drejtësi të plotë. Por kjo nuk do të thotë që duhet të harrohet.
Bravo atyre që e kujtuan dhe organizuan sot atë ceremoni ku simbolika e fortë e karrigeve bosh, tregon se 81 jetë, mungojnë. Ceremonia e sotme duhet të përsëritet çdo vit. Duhet të kujtohet çdo jetë e humbur. Çdo emër. Çdo histori.
Sepse pas çdo numri ka pasur një njeri… me një shpresë të vetme: një të ardhme më të mirë.

