Ka përfunduar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe liderëve politikë për caktimin e mandatarit të dytë për formimin e qeverisë.
Pas takimit, Osmani deklaroi se deri më 5 nëntor do të qëndrojë në pritje dhe në komunikim të vazhdueshëm me partitë politike, për të kuptuar nëse do të krijohet një shumicë e re parlamentare.
Presidentja bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar jo vetëm për çështjen e mandatimit, por edhe për buxhetin e ri dhe për marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Europian, një nismë që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas Osmanit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar edhe një takim tjetër brenda afatit të përcaktuar, që përfundon të mërkurën.
E pyetur nëse gjatë bisedimeve është trajtuar edhe çështja e postit të presidentit, duke qenë se mandati i saj është drejt përfundimit, Osmani konfirmoi se kjo temë është përmendur. Ajo shtoi se është hedhur ideja që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, një propozim që ajo vetë e mbështet, por që kërkon ndryshime kushtetuese për t’u realizuar.

