Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka përmirësuar ndjeshëm performancën financiare gjatë vitit 2024, duke regjistruar fitim neto prej 7,3 miliardë lekësh, ose 2% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Administratori i kompanisë, Enea Karakaçi, në një intervistë në medie u shpreh se rezultatet pozitive u arritën falë disiplinës financiare, uljes së humbjeve nën nivelin 18% dhe rritjes së arkëtimeve mbi 100%.
“Përmirësimi i performancës financiare është rezultat i masave të marra nga menaxhimi në bashkëpunim me qeverinë për të lehtësuar ndikimin e çmimeve të tregut të lirë”, tha ai.
Sipas Karakaçit, vendimi për uljen me 10% të çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, që hyri në fuqi më 1 shkurt 2025, erdhi pas analizave financiare të sektorit energjetik publik.
“Efekti i uljes së çmimit pritet të jetë rreth 2,58 miliardë lekë, në përfitim të drejtpërdrejtë të familjeve shqiptare”, theksoi ai.
Kompania po zbaton aktualisht një plan investimesh me vlerë 40 miliardë lekë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrjetit elektrik në të gjithë vendin.
Projekte të rëndësishme po realizohen në zona turistike si Ksamil, Himarë, Velipojë dhe Valbonë, ndërsa pritet ndërtimi i nënstacioneve të reja në Tiranë dhe Kamëz me mbështetjen e BERZH dhe KfW.
“Pas një periudhe gati 3-vjeçare, për shkak të tërmetit, pandemisë dhe krizës energjetike globale, grupi OSHEE nisi në fund të vitit 2023 dhe në vazhdim të 2024-s, një plan masash agresiv, sa u takon investimeve. Bazuar mbi një strategji të mirëkoordinuar, u miratuan dhjetëra projekte me vlerë 40 miliardë lekë, të cilat synonin ndërtimin dhe rikonstruksionin e mbi 20 nënstacioneve, shtrimin e rrjetit kabllor 20 kV, kabinave të reja me linja ABC, të pozicionuara në çdo cep të vendit”, deklaroi ai.
Sa i përket reformës së liberalizimit të tregut të energjisë, Karakaçi bëri të ditur se pas daljes së klientëve 20 kV në tregun e lirë në fillim të vitit 2024, gjatë vitit 2025 pritet përfshirja e konsumatorëve të lidhur në 10 kV, ndërsa vitin pasues do të vijojë me ata në 6 kV.
Administratori shtoi se OSHEE po investon në sisteme të reja teknologjike si SCADA dhe matësa smart, për të automatizuar proceset dhe përmirësuar shërbimin ndaj klientëve.
“Pavarësisht uljes së të ardhurave për shkak të reduktimit të tarifës, 2025 pritet të jetë një vit i qëndrueshëm për performancën financiare të grupit”, deklaroi Karakaçi.