Opozita në Shtator dhe Shtatori në Opozitë

Nga Elior Vila

Vera e nxehtë që sapo kaloi i la vendin Shtatorit, i cili në kuptimin politik do të jetë po aq i nxehtë. Zgjedhjet e stërzgjatura të 11 Majit tashmë quhen ligjërisht të përfunduara dhe Rilindja, edhe ajo parlamentare, është strukur në komoditetin e vet që i lejon numri 83 i mandateve me një histori krejt të dyshimtë për mënyrën sesi ato u fituan.

Vera kaloi me plot denoncime nga ana e opozitës, e cila në të drejtën e saj u përpoq të tregonte se kishim një proces në thelb të kriminalizuar, ku vullneti i lirë i votuesit u diktua nga presioni i super administratës e cila njeh vetëm rritje, joshjet me vende pune apo me tendera biznesesh, puna në terren e grupeve kriminale përfshirë Elbasanin, si dhe paratë që vërshuan për çdo aktivitet në këmbim të votës.

Një skenar i njohur ky edhe më parë, i një pushteti i gatshëm të bëjë pakt me djallin për ta mbajtur atë me çdo kusht, sepse në këtë mënyrë garantohen korrupsioni, tenderat, interesat e grupeve kriminale dhe mbi të gjitha heshtja e drejtësisë. Nga ana tjetër, drejtësia e “reformuar” tregoi se, në mos me të dyja, tashmë identifikohet me një sy qorr dhe një vesh shurdh.

Përpos denoncimeve dhe provave të panumërta të opozitës, kjo palo drejtësi nuk lëvizi as gishtin për të treguar se kush prek votën ndëshkohet. Përkundrazi, shfaqi “ankesa” se pse opozita nuk u kthye në një zyrë të shërbimeve sekrete apo policore që t’i sillte provat në pjatë SPAK-ut, i cili tashmë me plot gojë meriton emërtimin SK(R)AP.

Megjithatë, situata është kjo që ne shohim: një pushtet Rilindas arrogant në aleancë me krimin “intelektual” (sipas dikujt andej nga SK(R)AP-i) dhe, nga ana tjetër, opozita në Shtator tashmë në parlament, e cila në ditën e parë u paraqit jo shumë ndryshe nga herët e tjera në këto 12 vitet e fundit.

E thashë “jo shumë ndryshe”, sepse qasja ishte e njëjtë ndërsa numri i deputetëve i pakësuar. Për çdo demokrat kjo është një situatë trishtueshme, të cilën askush nuk e dëshironte, aq më pak ata të cilët kishin shpresa për një ndryshim jo thjesht për demokratët, por për shqiptarët që janë kapur në darën e Rilindjes dhe që si mundësi shpëtimi zgjedhin ikjen nga ky vend.

Personalisht, jam nga ata që mendojnë se përballja dhe përfaqësimi në parlament janë më mirë se bojkoti, por si do të përballet opozita me Rilindjen? Shtatori do të jetë tashmë në opozitë me opozitën dhe është koha të diskutohen çështjet si më poshtë: A nuk është e domosdoshme fillimisht një analizë se pse sot kemi më pak deputetë demokratë në parlament se dje, jo thjesht për të nxjerrë përgjegjësitë, por për të identifikuar problemet që çuan në këtë situatë dhe për të menduar sa më parë për zgjidhjet përkatëse, pasi zgjedhjet ndjekin njëra-tjetrën?

Cila do të jetë strategjia në vazhdim e opozitës për t’u përballur me Rilindjen parlamentare, e cila ka në gjirin e saj pseudo deputetë të zgjedhur nga grupe të caktuara interesi, përfshirë ato kriminale, siç kanë treguar rastet e Durrësit dhe Elbasanit? Opozitës i duhet qartazi një qasje ndryshe nga ajo e thjesht denoncimeve apo bllokimit të foltores së parlamentit, ku më pas “beteja” vazhdon me gardën.

Burimet njerëzore i kemi të tilla që mund të hartojmë një strategji më efikase dhe përfaqësuese, me propozime që i shkojnë për shtat interesave të shqiptarëve, të cilët qartazi në shumicë kërkojnë ndryshimin. Shtatori do të vazhdojë të jetë në opozitë dhe, jo shumë larg, do të kërkojë edhe përgjigjet përkatëse.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Trump optimist para takimit me Putin në Hungari: Mendoj se mund ta bind që t’i japë fund luftës

Presidenti Donald Trump priti homologun e tij ukrainas, Volodymyr...

Nuk besoj se ka shqiptarë që nuk proteston e nuk do të protestonte për UÇK!

Nga  Alban Daci Madje, as nuk ka nevojë për të...

Takimi Trump-Zelensky, presidenti ukrainas mbërrin në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Shtëpinë e...