Nga Mentor Kikia
Seanca e sotme parlamentare ishte parathënia e gjithë asaj që do të shikojmë këto katër vijet, jo vetëm në parlament, por në gjithë mjedisin politik.
Kryeministri Rama tashmë e ka gjetur “lodrën” e tij me të cilën do të merret çdo ditë, quhet “Diella”. Ai nuk foli dot për programin, edhe pse tha se atë do ta bënin vetë ministrat. Por ai prezantoi ministren e tij, për të cilën tha se do të jetë e pranishme edhe fizikisht së shpejti. Ajo ishte shumë e zhgënjyer nga opozita. Kjo shërbeu si provokim për të ndezur barutin e thatë të opozitës dhe ajo që ndodhi u pa. Mazhoranca mbaroi punë shpejt e shpejt me 82 vota.
Ne nuk e dimë se cili do të jetë impakti i përdorimit të teknologjisë, AI-së, në luftën kundër korrupsionit, konkretisht në procesin e prokurimeve, p.sh. Por, përtej kësaj, misioni politik i imazhit publik të serverit, që quhet “Diella”, do të jetë si ai i Zegjinesë, deputetes së Rroskovecit, në zgjedhje. “Diella” do të flasë, do të mbajë fjalime, do të japë mesazhe, do të hedhë kunja, do të provokojë opozitën. Ne do t’i lexojmë e dëgjojmë, do të qeshim, do t’i komentojmë, do të shajmë, pra do të merremi me të, edhe pse do të jemi të bindur se “Diella” e vërtetë është ai/ajo që ka në dorë tastierën dhe mausin e kompjuterit.
Përmes kësaj manovre, Rama do të krijojë një narrativë që do të mbajë publikun me “gajret” dhe do ta tërheqë opozitën në veprime si ky i sotmi.
Dhe çfarë po bën opozita?
Përfaqësimin e dobët numerikisht po e kompenson me agresivitetin fizik.
Por a është kjo që duhet bërë?
E bindur se Rama meriton vetëm këtë sjellje, opozita po bën pikërisht atë që Rama dëshiron të bëjë ajo. Po ia lehtëson punën të qeverisë pa përgjegjësi.
Opozita duhet të bëjë opozitë cilësore.
Rolit antikorrupsion të Diellës ajo duhet t’i përgjigjet me ekspozimin e tënderave kur, edhe nën qeverisjen e Diellës, mund t’i fitojnë po ata që i kanë fituar deri tani.
Fjalimeve të Ramës dhe Diellës për integrimin në 2030 dhe mbylljen e kapitujve në 2027, t’i përgjigjet me monitorimin e çdo kapitulli për të treguar se çfarë po ndodh realisht me përmbushjen e kritereve.
Pra, opozitës i duhet të flasë dhe të flasë pasi të jetë menduar. Jo thjesht të bërtasë.
Sepse vetëm kështu mund të çarmatosë propagandën e qeverisë dhe të tregojë se është serioze dhe alternativë qeverisëse.