Strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë finalizuar një operacion kompleks hetimor që çoi në zbardhjen e plotë të vrasjes së 43-vjeçarit, ngjarje e ndodhur më 30 nëntor, në lagjen “Emin Matraxhiu”.
Pas 24 orësh pune intensive, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorët kryesorë të ekzekutimit, ndërsa u vunë në pranga dy persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, u arrestuan:
• Xhino Ago, 32 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje. Ai akuzohet për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.
• Kujtim Pisha, 52 vjeç, i arrestuar për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion mbi ngjarjen. Ky shtetas rezulton të ishte roje në një karburant pranë zonës së ngjarjes.
Ndërkohë, u shpallën në kërkim:
• Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si një nga autorët e vrasjes. Ky shtetas ndodhej nën masën “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale.
• Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, gjithashtu i dyshuar si autor i vrasjes.
Të dy akuzohen për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia gjeti:
• automjetin e autorëve të djegur;
• armën e zjarrit të përdorur në ekzekutim;
• dokumente shitblerjeje automjetesh;
• 3 celularë;
• 2 DVR që përmbajnë pamje filmike që dokumentojnë mekanizmin e ngjarjes.
Nga hetimet rezultoi se automjeti i përdorur në vrasje ishte në pronësi të Xhino Agos, i cili ia kishte dhënë me hua shtetasit Marselo Arani.
Pamjet filmike dhe provat e siguruara kanë qenë kyçe në rikonstruksionin e plotë të mënyrës së ekzekutimit dhe identifikimin e autorëve.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 43-vjeçarit M. M., alias E. H.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

