“Objekti 85” te ish Uzina ushtarake , bomba mjedisore e heshtur në Gramsh ,ndotje alarmante dhe rrezik për shëndetin e banorëve

 

Në afërsi të qytetit të Gramshit, një nga zonat më problematike për mjedisin dhe shëndetin publik vijon të mbetet ish-uzina e prodhimit të baterive për ushtrinë, e njohur si “Objekti 85”. E braktisur prej vitesh dhe pa asnjë ndërhyrje serioze nga institucionet përgjegjëse, kjo zonë është kthyer në një burim të vazhdueshëm ndotjeje dhe rreziku për komunitetin.

Sipas banorëve, Ministria e Mbrojtjes nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për pastrimin e magazinave dhe reparteve nga mbetjet e rrezikshme që dikur përdoreshin në prodhimin e baterive. Ndërkohë, godina të tëra janë degraduar, disa janë shkatërruar dhe u janë vjedhur materialet ndërtimore, ndërsa të tjera po transformohen në mënyrë të pakontrolluar në banesa apo ambiente biznesi.

Në këtë zonë jetojnë të paktën 10 familje, të ardhura kryesisht nga fshatrat përreth, të cilat përballen çdo ditë me kushte të vështira jetese. Përveç ndotjes, infrastruktura është në gjendje të rënduar ,rruga është e pashtruar, e mbushur me gropa dhe ujë, duke e bërë lëvizjen thuajse të pamundur.

Por shqetësimi më i madh mbetet ndotja e ajrit. Banorët ankohen për një erë të rëndë dhe të padurueshme që del nga magazinat e rrënuara. Sasia jashtëzakonisht e madhe e mbetjeve të rrezikshme,xhamat e thyer dhe muret e dëmtuara të godinës së njohur si “Objekti 85” lejojnë që aroma e fortë e mbetjeve të baterive dhe gazrat e dëmshëm të përhapen lirshëm në ajër, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.

Ata tregojnë se kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta: raste të problemeve me frymëmarrjen dhe sëmundje kardiovaskulare janë shtuar ndër vite, ndërsa nuk mungojnë as pretendimet për jetë të humbura si pasojë e kushteve të rënda mjedisore.

Banorët kujtojnë se vite më parë Bashkia kishte premtuar se do ta adresonte këtë problem pranë Ministrisë së Mbrojtjes, duke kërkuar pastrimin e depo-ve nga lëndët helmuese. Megjithatë, deri më sot, sipas tyre, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje konkrete për rehabilitimin e zonës.

“Objekti 85” mbetet kështu një plagë e hapur për Gramshin ,një zonë e ndotur, e lënë në harresë, ku jeta e banorëve zhvillohet mes pasigurisë, mungesës së infrastrukturës dhe frikës së përditshme për shëndetin.

Thirrja e tyre është për një ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për pastrimin dhe rehabilitimin e kësaj zone, përpara se pasojat të bëhen edhe më të rënda.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME