I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka lënë qelinë këtë pasdite dhe është dërguar me urgjencë në spital, pasi ka shfaqur probleme serioze me zemrën dhe vështirësi me frymëmarrjen. Mjekët kanë rekomanduar shtrimin e tij në QSUT për trajtim të specializuar. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, Dumani është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga forcat speciale të burgjeve dhe efektivët e RENEA-s.
Nuredin Dumani është një emër i njohur në botën e krimit në Shqipëri dhe aktualisht i penduar i drejtësisë. Ai është akuzuar për përfshirje në një sërë vrasjesh dhe ngjarjesh të rënda kriminale. Ndër to përfshihen ekzekutimi i vëllezërve Haxhia në Durrës, atentatet e organizuara në bashkëpunim me Talo Çelën, si dhe vrasja e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit në vitin 2020. Po ashtu, Dumani akuzohet për implikimin në rrjete prostitucioni dhe trafikim vajzash drejt vendeve të BE-së, ku përdorte mashtrime dhe kërcënime për t’i nënshtruar viktimat.
Dumani u arrestua më 30 mars 2022 në Fier, gjatë një operacioni të zhvilluar nga RENEA, vetëm pak orë pasi u plagos në një atentat në Elbasan. Arrestimi i tij u konsiderua një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar. Pas prangosjes, ai pranoi të bëhej i penduar i drejtësisë, duke dhënë dëshmi për një numër të madh vrasjesh dhe ngjarjesh kriminale që kanë tronditur vendin gjatë viteve të fundit.
Aktualisht, gjendja shëndetësore e tij ka ngritur shqetësime, teksa ai ndodhet nën vëzhgim të vazhdueshëm mjekësor dhe siguri të lartë policore.