Një sugjerim politik për Florjan Binaj

Nga Kreshnik Spahiu 

Dje ndoqa me shumë interes fushatën e tij në Tiranë, mes gërmadhave të fadromave që po lirojnë trotuaret nga shtesat e lokaleve. Të gjitha qasjet, kritikat, konstatimet dhe satira janë një prurje e re, por mbeten në nivel gazetaresk; asgjë më shumë.

Nga Flori elektorati gri pret të shohë vizion për Tiranën dhe çfarë ofron ai me projektin e tij, në këmbim të votës. Për këtë arsye, do t’i këshilloja miqësisht dhe profesionalisht që sot të kthehet tek ajo gërmadhë dhe të nënshkruajë një kontratë publike:

• A është me pronarët apo me zaptuesit?

• A është për legalizim të ndërtimeve pa leje, apo kundër?

• A është për kompensim apo për ndëshkim?

• A është për tenda, shtesa, çadra, apo për çfarë saktësisht?

• A duhen liruar trotuaret, apo shtuar tavolinat?

• A duhen arrestuar ata që lejuan, apo ata që ndërtuan?

• A duhen mbyllur lokalet që kanë pushtuar hapësira publike dhe nuk i kanë në pronësi?

• Apo duhet lejuar të shtohen të tjera?

Se çfarë ka bërë keq PS në Tiranë e dinë 10 milionë shqiptarë, por çfarë projekti ndryshe ka Flori, që të bindë kryeqytetin se ai nuk është si kryetarët demokratë, që e kioskëzuan Tiranën po aq keq sa edhe shtesat e kullat socialiste?

Flori e ka shumë të thjeshtë të bindë gjithë Tiranën që është i pavarur, duke nënshkruar një deklaratë publike tek noteri, që 20 oligarkët e PD-PS me emra të veçantë dhe publikë nuk do marrin asnjë tender apo leje ndërtimi. Të dalë në media dhe të shprehet me emra për ata që kanë betonizuar Tiranën në kohën e Ramës, Bashës, Veliajt.

Flori ka ende kohë të ndryshojë fushatën, nga daljet për klikime, në prezantimin si rival serioz. Ka ardhur momenti që ndonjë mik që ia do të mirën t’i sugjerojë dhe t’i bëjë të qartë se “like” në rrjetet sociale nuk konvertohet automatikisht në votë. Shqiptarët të buzëqeshin dhe të thonë: “Je çun i mirë”, por kur shkojnë në kutinë e votimit nuk të besojnë.

Dita e votimit po afron, dhe fadromat do të jenë aty edhe të nesërmen, duke zbehur të qeshurat dhe humorin e fushatës, si dhe duartrokitjet e atyre që i rrahin krahët artistit të talentuar. Kam frikë se gjysma e atyre që sot i bëjnë “like” videove të tij, një ditë pas humbjes do të thonë: “Fajin e kishte Flori”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME