Nga Ben Blushi
Isha në Belsh i ftuar nga nxënësit e shkollës së mesme Sami Frashëri dhe miku im i vjetër kryetari i bashkisë Arif Tafani, për të folur për romanin tim të fundit Parajsa Artificiale.
Ky roman është i ndarë në dy pjesë, Ferri dhe Parajsa, por natyrisht une u fola gjimnazistëve vetëm për pjesën e dytë, sepse është shumë herët që ata të frikesohen nga pjesa e parë.
Kam bërë disa takime për të folur për botën e nesërme, kur Inteligjenca Artificiale do dominojë duke zevendesuar shumë nga zanatet e sotshme, përfshi atë të mësuesit, por në asnjë rast nuk kam marrë pyetje më interesante se në Belsh.
Nuk e di nëse ky është efekti i liqeneve të mrekullueshëm të kësaj zone apo i klimës, por gjimazistet e Belshit ishin jo vetëm shumë inteligjente por edhe mjaft të lirshme dhe mesa kuptova asnjëra prej tyre nuk kishte frikë nga bota që po vjen.
Kjo nuk është e vërtetë edhe për cunat e këtij gjimnazi, që më kujtuan veten time 40 vjet më parë, kur njëlloj si ata nuk mendoja fare për të nesërmen por vetëm për të tashmen.
Ndryshimi më i madh mes prindërve, djemve dhe vajzave është se të parët mendojnë për të djeshmen, të dytët për të sotshmen dhe të tretat, vetëm për të nesërmen.
Në këtë mënyrë bota qëndron në ekuilibër.
Kështu ndodhi edhe në Belsh dhe prandaj djemtë nuk morën asnjë libër me autograf, vajzat i morën të gjjtha Parajsat që kisha sjellë, kurse mësueset ikën të lumtura sepse besuan fjalën time se do vijë një ditë që Inteligjenca Artificiale do ndryshojë sistemin arsimor duke ia bërë atyre punën më të lehtë dhe më të bukur.
Natyrisht edhe unë ika i kënaqur që jam futur në dhjetëra shtëpi të Belshit me Parajsën time Artificiale, librin më të cuditshëm që mund të lexoni sepse së pari ka vetëm dy personazhe, së dyti ka vetëm dialogje dhe së treti ngjarjet zhvillohen vetëm në 12 orë.
Aq kohë sa harxhojnë në ditë djemtë e Belshit duke menduar për vajzat.