Një natë historike në Nelspruit solli një nga paraqitjet më të mira të Afrikës së Jugut në kualifikueset e Kupës së Botës.
“Bafana Bafana” fituan me rezultatin 3-0 ndaj Ruandës në “Mbombela Stadium”, duke siguruar zyrtarisht kualifikimin në Botërorin 2026.
Skuadra vendase nisi ndeshjen me intensitet dhe vendosmëri, duke kaluar në epërsi që në minutën e 5-të, kur Thalente Mbatha shënoi nga afër pas një aksioni të shpejtë.
Epërsia u dyfishua në minutën e 26-të, me Oswin Appollis që përfitoi nga një krosim i ulët i Aubrey Modiba dhe dërgoi topin në rrjetë pas një kombinimi të bukur sulmues.
Rezultati përfundimtar u vulos në minutën e 72-të, kur Evidence Makgopa realizoi me kokë pas një topi perfekt të ardhur në zonë, duke i dhënë fund një performance dominuese të skuadrës së Hugo Broos.
Me këtë fitore, Afrika e Jugut ngjitet në kuotën e 18 pikëve, duke parakaluar Nigerinë (17 pikë) dhe siguruar vendin e parë në grup – që do të thotë kualifikim për në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ky është kualifikimi i parë i Afrikës së Jugut në një Botëror që nga viti 2010, kur ishte gjithashtu vendi organizator i turneut.