Nga Mentor Kikia
Ky është një nga gazetarët më të guximshëm që vazhdonte të punonte në Gaza. Anas al-Sharif, ishte korespondent i rrjetit Al Jazeera. Një dron izraelit goditi tendën ku ai dhe një ekip kameramanësh, korespondentësh dhe teknikësh ishin vendosur para një spitali. Al-Sharif dhe pesë kolegët e tij mbetën të vdekur dhe tre të tjerë u plagosën.
Sulmi ndaj ekipit të gazetarëve, është një burracakëri që kalon çdo kufi. Historia ka njohur qindra viktima në radhët e gazetarëve, atyre që marrin në sy rrezikun për jetën e tyre, që të informojnë botën.
Rrjeti Al Jazeera ka dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si një “vrasje të qëllimshme” dhe “një sulm të hapur dhe të paramenduar ndaj lirisë së shtypit”. Në deklaratën zyrtare, rrjeti akuzon drejtpërdrejt ushtrinë izraelite për shënjestrimin e qëllimshëm të vendndodhjes së gazetarëve.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, tha se “Në Gaza dhe kudo tjetër, gazetarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa frikë nga shënjestrimi apo dhuna”.
Pas vrasjes së 5 gazetarëve, ushtria izraelite ka thënë se gazetari Al-Sharif ishte pjesë e Hamasit. Për publikun deri tani janë nxjerrë vetëm disa screenshot-e të tabelave që duket se përmbajnë listat e disa operativëve të Hamasit, me shënime për plagosjet dhe një listë telefonash, për një batalion të grupit të armatosur
Koha që po kalojmë nuk është një epokë e artë për demokracinë, përkundrazi, re të zeza pështillen ngado. Dhe Liria e medias është indikatori më i madh i këtij realiteti.
Në një kohë kur media është shndërruar në sipërmarrje dhe kur lajmi është shndërruar në mall që këmbet në treg, gazetarët që thonë të vërtetën marrin më shumë vlerë.
Nderim dhe përkulje para çdo gazetari të vërtetë, i cili pasurinë e vetme ka lapsin, bllokun e shënimeve dhe guximin për të thënë të vërtetën!