Një artiste që i flet shpirtit përmes tingujve dhe vargjeve ,Xhesi Gavelli , një zë i qetë, por i fuqishëm në peizazhin e artit shqiptar.

 

Në një qytet me rrënjë të thella kulturore si Berati, u lind dhe u rrit një vajzë që do të gjente strehë në tingujt e violës ,Xhesi Gavelli. Që në moshë të vogël, muzika ishte gjuha me të cilën ajo komunikonte me botën. U njoh me violinën që në klasën e parë, në qytetin e saj të lindjes, duke u bërë shpejt pjesë e skenave të para artistike lokale.

Pas përfundimit të arsimit fillor, ajo mori rrugën drejt Tiranës, ku vijoi shkollimin e mesëm në Shkollën Kombëtare të Arteve “Jordan Misja”, në degën Violë. Ishte aty ku talenti i saj u formua e u thellua, ndërsa pasioni për artin mori përmasa profesionale.

Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Arteve, në degën Violë dhe Mësuesi, duke i dhënë vetes jo vetëm përvojë skenike, por edhe misionin fisnik të edukimit përmes muzikës. Sot, Xhesi Gavelli është pjesë e trupës pedagogjike të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku çdo ditë ndan me nxënësit dashurinë dhe përkushtimin për artin e interpretimit.

Gjatë karrierës së saj artistike, ajo ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësuar me çmime të para në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Për Xhesin, çdo skenë është një botë më vete, ku tingujt shndërrohen në emocione dhe publiku bëhet pjesë e një përjetimi shpirtëror.

Së fundmi, artistja ishte pjesëmarrëse në Festivalin Kombëtar Letrar “Nën Dritën e Fjalës”, që u mbajt më 25 tetor 2025, në sallën “Qendra për Kulturë” pranë Katedrales Ortodokse në Tiranë. Në këtë aktivitet, ku fjala dhe muzika u ndërthurën me mjeshtëri, Gavelli ishte konkurrente dhe solli një interpretim të paharrueshëm në violinë gjatë momentit artistik të aktores së njohur Ema Andrea. Publiku e priti me duartrokitje të gjata, ndërsa tingujt e violës u bënë urë mes emocioneve të fjalës dhe shpirtit të artit.

Përveç muzikës, Xhesi Gavelli shpreh ndjeshmërinë e saj edhe përmes vargjeve. Poezia e mëposhtme, e shkruar prej saj, është një ftesë për reflektim, një dialog i sinqertë mes shpirtit dhe natyrës, mes njeriut dhe erës që bart shpresën.

…………………………………..

ERËS…

Nga  Xhesi Gavelli

Dua t’i them erës: më merr e tutje më ço,
Atje ku bota s’ka lot e dhimbje,
Ku lufta e shkatërrimi nuk ekzistojnë,
Ku fjala “dashuri” është perëndi!
Erë, të lutem, më ço atje përtej,
Në krahët e fatit mos më lër,
S’do të di ku të shkoj, e humbja do të bëhet sinonimi im.
I lutem erës: dashurinë ma trego,
Më trego ku fshihet, dhe nga gjumi ta zgjoj…
T’i them se bota ka nevojë për të…
Të lutem, erë, ajër, qiell, univers…
A kushdo qofsh, më merr me vete,
Rreth e qark botës të shkoj,
Të shoh e të prek çdo gjë mbi dhe,
Dhe bashkë me erën të kthehem…
Të kthehem atje ku më mori dje!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME