Rreth 16 mijë nxënës të shkollave profesionale në Shqipëri nisin sot vitin e ri arsimor. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u uroi suksese të gjithëve, duke përfshirë mbi 4,200 nxënësit e klasës së 10-të, të cilët për herë të parë fillojnë rrugëtimin drejt profesionit të tyre.
Edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, uroi nxënësit për një kapitull të ri të dijes dhe theksoi rëndësinë e shkollave profesionale për të ardhmen e tyre. “Me programe që kombinojnë teorinë me praktikën, shkollat profesionale bujqësore përgatisin brezin e ri për tregun e punës në bujqësi, veterinari dhe teknologji ushqimore,” tha Denaj.
Regjistrimet për klasën e 10-të në arsimin profesional janë të hapura deri më 30 shtator përmes portalit e-Albania. Ministrja renditi disa nga shkollat profesionale ku nxënësit mund të regjistrohen ose të transferohen: shkolla “Charles Telford Erickson” në Golem, “Ndre Mjeda” në Bushat, “Rakip Kryeziu” në Fier, shkolla e mesme profesionale Shërbime në Korçë, shkolla e mesme profesionale në Kamëz dhe shkolla “Mihal Shahini” në Cërrik.