Një thirrje plot ndjeshmëri dhe humanizëm vjen nga deputetja socialiste e Elbasanit, Sara Mila, e cila përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook ka prekur një realitet të dhimbshëm, por shpesh të heshtur: shumë gjyshër në fshatrat e Elbasanit do ta presin Vitin e Ri vetëm.

Të moshuar që jetojnë në kushte jo të mira ekonomike, me fëmijët dhe nipërit emigrantë, pa zëra rreth tryezës, pa trokitje dere dhe pa ngrohtësinë familjare që festat duhet të sjellin. Një natë ndërrimi viti që për ta rrezikon të mbetet e ftohtë dhe e zbrazët.

Pikërisht për këtë arsye, deputetja Sara Mila i është bashkuar një nisme të bukur dhe domethënëse të të rinjve të fshatrave që ajo përfaqëson, të quajtur “Nipër për një Ditë”. Një iniciativë që synon të çojë jo vetëm darkën e Vitit të Ri në tryezat e gjyshërve, por mbi të gjitha dashuri, vëmendje dhe prani njerëzore.

“Do t’u çojmë gjyshërve darkën e Vitit të Ri dhe do të marrim e japim shumë dashuri. Sepse ndonjëherë nuk ka nevojë për shumë. Mjafton prania,” ,shkruan Mila, duke theksuar se vlerat njerëzore janë dhurata më e çmuar e festave.
Në këtë frymë solidariteti, deputetja u bën thirrje të rinjve që të bëhen pjesë e kësaj nisme fisnike, duke kontaktuar në DM faqen @rinia_ps_shkumbin_siper, për të kontribuar që asnjë gjysh të mos mbetet vetëm në natën e ndërrimit të viteve.

“Le ta bëjmë këtë fundvit më të bukur. Le të mos mbetet askush vetëm. Sidomos gjyshërit,” është mesazhi i fortë që shoqëron këtë thirrje, duke kthyer fundvitin në një moment reflektimi, solidariteti dhe shprese.
Një nismë që dëshmon se shoqëria jonë ka ende zemër, dhe se me pak përkushtim, prani dhe dashuri, mund të ndryshohet jeta e dikujt ,qoftë edhe për një natë.


