Nga sot nis indeksimi i pensioneve, 2,5% për mbi 753 mijë përfitues

Nga sot nis indeksimi i pensioneve në masën 2,5% për mbi 753 mijë pensionistë, duke përfshirë të gjitha kategoritë e përfituesve: pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si dhe trajtimet financiare të veçanta për ushtarakët, minatorët, punonjësit e industrisë ushtarake dhe personat me funksione kushtetuese ose tituj shkencorë.

Synimi kryesor i këtij indeksimi është ruajtja e fuqisë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe inflacionit. Pensionet që caktohen nga kjo datë përfitojnë gjithashtu nga indeksimi, për sa kohë data e lindjes së të drejtës së pensionit nuk është më vonë se 30 shtator 2025.

Qeveria ka vendosur kufij minimalë dhe maksimalë për pensionet e plota të pleqërisë dhe invaliditetit: nga 1 tetori 2025, pensionet nuk do të jenë më pak se 18 335 lekë dhe jo më shumë se 36 670 lekë në muaj. Për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, kufiri minimal do të jetë 12 554 lekë, ndërsa maksimal 18 335 lekë. Pensionet e parakohshme për ushtarakët nuk do të jenë më pak se 18 335 lekë.

Përfituesit e pensioneve të caktuara deri më 31 dhjetor 2014 do të vazhdojnë të marrin kompensimet për të ardhurat mujore minimale dhe për ndryshimin e çmimeve të energjisë, bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm. Pensioni social do të rritet në 9 953 lekë në muaj, e njëjta shumë që do të përdoret edhe si pension bazë për individët që plotësojnë periudhën e sigurimit të përcaktuar me ligj.

Efektet financiare të këtij vendimi llogariten në 1,14 miliardë lekë, të përballuara nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve. Në total, përfitojnë mbi 753 mijë pensionistë, ndërsa përfituesit e skemave të tjera llogariten rreth 143 mijë.

Qeveria synon të arrijë një pension mesatar prej 400 eurosh për ata që kanë kontribuar plotësisht në sistem dhe një pension minimal prej 200 eurosh deri në vitin 2030. Ky hap është pjesë e një plani të gjerë për forcimin e mbrojtjes sociale dhe rritjen e standardit të jetesës për pensionistët, në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore për reformën e sistemit të pensioneve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME