Nga nesër hyn në fuqi Sistemi Europian i Hyrje-Daljes (EES)

TIRANË, 9 prill/Albania Express News/ Qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt 29 vendeve të hapësirës Shengen duhet të jenë të përgatitur për ndryshime në procedurat kufitare, pasi nga nesër 10 prill hyn në funksion të plotë Sistemi Europian i Hyrje-Daljes (EES).

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se ky sistem zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve, duke përfshirë të dhënat e pasaportës, fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve për çdo udhëtar që kalon nga vendet joanëtare të Bashkimit Evropian.

EES ka nisur të aplikohet pjesërisht që nga tetori 2025, por nga nesër do të përdoret për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore në zonën Shengen.

Sipas MEPJ-së, refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike do të sjellë automatikisht refuzimin e hyrjes në territorin e këtyre vendeve.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme paralajmëron se në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore, ndaj qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.

MEPJ gjithashtu kujton që pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë, dhe se nuk kërkohet asnjë aplikim paraprak për EES, pasi regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.

Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit, që mbetet maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.

Ministria rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet duke marrë parasysh kohën shtesë që do të nevojitet për kontrollet kufitare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Pajisja për pagesa elektronike detyrim deri më 30 maj 2026

TIRANË, 9 prill/Albania Express News/ Administrata Tatimore informoi tatimpaguesit...