Nga goli i parë tek kreu i renditjes: rrëfimi i Fatjon Bunjakut

Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Dinamos, falë golit të vetëm të shënuar nga sulmuesi Fatjon Bunjaku, i cili u kthye në heroin e mbrëmjes. Me këtë trepikësh, verdheblutë jo vetëm që thyen një tabu të gjatë ndaj bluve, por u ngjitën edhe në krye të renditjes, duke dhënë një mesazh të qartë për ambiciet e këtij sezoni.

Për Bunjakun, goli kishte një shije të veçantë, pasi ishte i pari me fanellën e Elbasanit. “Normalisht që ndihem shumë mirë. Ky është goli im i parë me Elbasanin dhe ia dedikoj të gjithë tifozëve, por mbi të gjitha trajnerit që më ka besuar pa hezitim,” u shpreh ai pas ndeshjes.

Sulmuesi tregon se kishte parandjenjën e golit, falë formës së mirë dhe harmonisë së krijuar me skuadrën. “E prisja, sepse jam stërvitur shumë fort dhe jam përshtatur shpejt me grupin. Falë mbështetjes së stafit dhe lojtarëve, kisha bindjen që do të vinte momenti im.”

Atmosfera në stadium ishte një tjetër pikë që ai vuri në pah: “Që nga ndeshja e parë kam parë se tifozët janë një forcë e jashtëzakonshme për Elbasanin. Mbështetja e tyre është e pandalshme dhe të jep energji në fushë.”

Përveç vlerës së tri pikëve, goli i Bunjakut ka një domethënie të veçantë, pasi i dha fund serisë negative ndaj Dinamos. “Kam dëgjuar që vitin e kaluar nuk kishin mundur ta fitonin asnjëherë ndaj tyre. Kam thënë që këtë herë do të ndodhte ndryshe dhe besuam fort për këtë gjë.”

Tani vëmendja është tek përballja e radhës me Partizanin, ku Bunjaku nuk fsheh dëshirën për të qenë sërish vendimtar: “Shpresoj që të fitojmë si skuadër, pastaj pse jo, të shënoj edhe unë për të ndihmuar ekipin.” 

Ndërkohë që Elbasani kryeson i vetëm kampionatin, 21-vjeçari thekson se në grup nuk ka vend për presion: “Jemi një skuadër e bashkuar dhe kemi objektiva të qarta. Nuk e ndjejmë presionin, përkundrazi na shtyn të japim më shumë. Besoj se do të qëndrojmë aty deri në fund.”

Në fund, sulmuesi zbuloi edhe synimet personale: “Objektivi im është të ndihmoj Elbasanin me gola, asistime dhe paraqitje të mira, që ekipi të arrijë qëllimet e veta. Për mua më e rëndësishme është suksesi i skuadrës.” 

albaniaexpress.al

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME