Nga Fatmir Popja
Në një shtëpi dykatëshe në lagjen Rrapun të fshatit Dorëz, në Njësinë Administrative Qendër të Bashkisë së Librazhdit, jeton një nga gratë më jetëgjata të Shqipërisë, Nënë Sabrije Shkurti, e cila sot, më 5 tetor 2025, mbushi 105 vjeçe. Ajo është shumë më tepër sesa një numër i rrallë vitesh mbi supe, është një dëshmi e gjallë e historisë, një nënë dhe stërgjyshe e dashur, një grua që ka jetuar tri epoka të Shqipërisë dhe vazhdon të japë dashuri, mençuri dhe dritë përreth saj.
Një shekull jetë, nga koha e Mbretit Zog, në diktaturë e deri në demokraci
E lindur më 5 tetor 1920, në vitet e Mbretërisë Shqiptare, Nënë Sabrija është rritur në një kohë të ashpër, me mungesa të mëdha, por me dashuri të thellë familjare. E mbetur pa nënë që e vogël dhe e rritur nga njerka, ajo kujton fëmijërinë me dhimbje dhe përulësi: “Fëmijët atëherë rriteshin parakohe”, thotë me një buzëqeshje të qetë.
Martuar në moshën 16-vjeçare me një djalë nga i njëjti fshat, jeta e saj u ndërtua mbi sakrificë, respekt dhe punë të palodhur. “Më martuan me komshiun. As më pyeti njeri. Ishte koha e tillë. Por Zoti ma solli burrin të mirë”, kujton ajo me një ton të qetë e të ngrohtë. Burri i saj ndërroi jetë herët, duke e lënë të vetme me pesë fëmijë, të cilët i rriti duke bërë dy norma në ditë në kooperativë dhe me një zemër të madhe që nuk u ankua kurrë.
Një jetë plot sakrifica, punë, dashuri e besim
Nënë Sabrije Shkurti nuk ka kaluar ndonjëherë derën e spitalit dhe e konsideron veten me fat që ka gëzuar shëndet të mirë gjithë jetën. Dieta e saj ka qenë gjithmonë natyrale: bulmet, perime, fruta dhe mish i freskët. Ky ka qenë sekreti, sipas saj, për një jetë të gjatë. “Që në mëngjes e nis me një gotë kos ose qumësht”, thotë ajo. Asnjëherë nuk ka konsumuar duhan, alkool apo pije të tjera. Në vend të tyre ka kultivuar vlera, respekt, përulësi dhe dashuri për familjen dhe komunitetin. “Thesari im janë robt e shtëpisë. Tjetër thesar nuk kam”, shprehet me një qartësi që të drithëron.
Tri epoka dhe me mendje të kthjellët
Me një memorie të jashtëzakonshme, Nënë Sabrija flet me krenari për periudhat që ka përjetuar: nga Mbretëria e Zogut, tek regjimi komunist e deri te tranzicioni demokratik. “Mbreti Zog bëri shtet e i dha vlerë Shqipërisë”, kujton ajo, ndërsa për Enver Hoxhën thotë: “Gabime pati plot, por bëri edhe shumë të mira. U shkolluam, u qytetëruam.” Demokracinë e sotme e sheh si të turbullt: “Nuk i marr vesh këta udhëheqësit e sotëm… Mezi marr vesh ndonjëherë edhe njerëzit e mi”, thotë me sinqeritet.
Nëna e të gjithëve, respekt për një ikonë të gjallë
105-vjeçarja nga Librazhdi është më shumë se një figurë familjare, ajo është kthyer në një simbol dashurie për të gjithë komunitetin. Shtëpia e saj është gjithmonë e mbushur me vizitorë: nga të afërm e fqinj, te nipër, mbesa, stërnipër e stërmbesa. Të gjithë mblidhen në familjen Shkurti për të marrë një buzëqeshje, një fjalë të ëmbël, një kujtim nga një kohë tjetër. Nusja e saj, Sanije Shkurti, rrëfen: “Kam 40 vite që jam nuse në këtë shtëpi. Asnjëherë nuk më ka lodhur. Është e ëmbël, falënderuese, një zonjë e vërtetë.”
Djali, Lutfiu, kujton me emocion: “Kur mbushi 100 vjet, e festuam me gjithë fisin. Por pengun e vetëm që ka, është pensioni prej vetëm 7 mijë lekësh të reja. E gënjeva për mirë dhe i thashë se i është rritur pensioni. U gëzua shumë…”
Një mesazh për brezat e rinj: “Besoni te e mira, punoni fort dhe respektoni jetën”
Përtej viteve, Nënë Sabrija mbetet një udhërrëfyes për brezat e rinj. Ajo është një kujtesë e gjallë e historisë sonë, një model force, qëndrese dhe dashurie. Nuk ka studiuar në shkolla, por ka diplomuar me nder në universitetin e jetës.
Në një kohë kur vlerat shpesh relativizohen, Nënë Sabrija qëndron si një gur themeli i kulturës, moralit dhe familjes shqiptare.
Në ditën e 105-vjetorit të lindjes së saj, më 5 tetor 2025, Librazhdi dhe Shqipëria ka një arsye më shumë për t’u ndjerë krenare për një grua që me jetëgjatësinë, mençurinë dhe përulësinë e saj përfaqëson më të mirën që ky vend ka prodhuar.
Të dhëna që frymëzojnë
Sipas të dhënave të fundit nga qarku i Elbasanit, aktualisht në të shtatë bashkitë e tij jetojnë të paktën 145 persona mbi 100 vjeç. Por ndër ta, Nënë Sabrija është një nga më jetëgjatat dhe padyshim më e dashura për komunitetin.
Faleminderit, Nënë Sabrije, që na kujton se jeta është një dhuratë dhe se dashuria, mirësia dhe kujtesa janë trashëgimia më e çmuar që mund të lëmë pas.