Nga Farije Malo Vreto, USA
Pak ditë më parë, në shtëpinë e saj në Librazhd, mbylli sytë përgjithmonë Resmie Malo ,vjehrra ime, por për mua ishte gjithmonë një nënë e dytë. 88 vite jetë, 7 fëmijë që i rriti me mund dhe dashuri, dhe dhjetëra nipër e mbesa që sot mbajnë mbi supe trashëgiminë e saj të rrallë fisnikërinë, urtësinë dhe shpirtin familjar.
Vjehrra ime u nda nga kjo botë pas një sëmundjeje të rëndë, por me fatin e madh që të ishte e rrethuar nga bijtë dhe bijat e saj që nuk e lanë asnjë çast vetëm. Mes tyre ishte dhe bashkëshorti im, që për disa javë la pas jetën tonë në Amerikë, për të qëndruar pranë nënës në ditët e fundit të saj ,siç i kishte premtuar zemrës së vet.
Për mua kjo kohë qe e dyfish e vështirë. Vetëm gjashtë ditë më parë më ishte ndarë nga jeta edhe nëna ime të cilën e përcollëm për në atë Botë me të gjitha nderimet që meritonte. Pa u mbushur java dy gra të shtrenjta, dy nëna të paharrueshme, u nisën drejt dritës njëra pas tjetrës, si të donin të mësonin edhe atje lart se si të ishin bashkë edhe në amshim.
Po përse shkruaj publikisht edhe për vjehrrën ? Sepse jo të gjitha vjehrrat kanë fatin të kujtohen me mall nga nuset e tyre. Por Resmie Malo nuk ishte vetëm nëna e burrit tim ,ajo ishte dritë, përkujdesje, ngrohtësi e pakufishme.
Në çdo ditë të jetës së saj, ajo na mësoi se dashuria për familjen nuk njeh kufi, as largësi. Ajo na priti, na mbrojti, na këshilloi ,por mbi të gjitha, na donte sinqerisht.Në këtë udhëtim të përjetshëm, ti, nënë Resmie, nuk ke marrë me vete vetëm kujtimet e jetës tënde, por edhe mirënjohjen time të përjetshme.
Do të jesh gjithmonë në zemrat tona, në bisedat tona, në lutjet tona. Dhe unë do të të kujtoj jo vetëm si një vjehrrë të dashur, por si nënën time të dytë ,të rrallë dhe të bekuar.Prehu në paqe, e shtrenjta jonë. Trashëgimia jote jeton përmes brezave që le pas.