Në mbrojtje të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë!

Në kuadër të përpjekjeve për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë natyrore të vendit, u prezantua projekti PAMANCA, një nismë e rëndësishme e financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti ka për qëllim forcimin e mbrojtjes së zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale në këtë proces.

Seria e prezantimeve dhe diskutimeve me aktorë të ndryshëm lokalë e kombëtarë nisi në bashkitë Librazhd, Prrenjas dhe Elbasan, me fokus në Parkun Kombëtar Shebenik , një nga perlat natyrore të vendit që mbart një biodiversitet të pasur e të rrallë.

Takimi i dytë u zhvillua në Sarandë, ku vëmendja u përqendrua tek Parku Kombëtar i Butrintit, një trashëgimi unike natyrore e kulturore e mbrojtur nga UNESCO.

Ndërkohë, në Shkodër, pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë për ruajtjen e zonës së mbrojtur Bunë–Velipojë, një ekosistem i rëndësishëm për biodiversitetin bregdetar dhe ujor.

Pjesë e projektit është edhe zona e mbrojtur Vjosë–Nartë, për të cilën u zhvillua një tryezë e veçantë në Vlorë, me pjesëmarrjen e aktorëve lokalë, organizatave mjedisore dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.

Takimi përmbyllës u mbajt në Mirditë dhe Dibër, ku u trajtuan çështje që lidhen me Parkun Kombëtar Lurë–Mali i Dejës dhe Parkun e Munellës, zona me rëndësi të veçantë ekologjike dhe pyjore.

Projekti PAMANCA po zbatohet nga EcoAlbania, Res Publica dhe Forumi i Mendimit të Lirë, organizata që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e publikut për mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e zbatimit të ligjit për zonat e mbrojtura.

Në takime morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, organizatave joqeveritare lokale, mediave, sipërmarrësve dhe specialistëve të agjencive të mjedisit.

Diskutimet u përqendruan në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, ndryshimet e propozuara në të dhe rreziqet që ato mund të sjellin për integritetin e këtyre hapësirave natyrore.

U theksuan gjithashtu abuzimet që bien ndesh me ligjin dhe ndikimet e tyre negative mbi biodiversitetin dhe komunitetet lokale.

Qëllimi kryesor i këtyre takimeve është jo vetëm prezantimi i projektit, por edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve lokalë, rritja e ndërgjegjësimit dhe transparencës, si dhe organizimi i komuniteteve për mbrojtjen aktive të pasurive natyrore të Shqipërisë.

Trashëgimia natyrore është pasuri kombëtare që i përket brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm dhe projekte si PAMANCA janë një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së saj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME