Ndryshimet e Kodit Penal, një fushë me rreziqe për median Aleksandër Çipa: Amendimet e reja krijojnë kurthe penalizimi për gazetarët dhe cenojnë lirinë e shprehjes

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, të miratuara më 21 janar 2026, kanë rihapur një debat të fortë mbi lirinë e shprehjes, statusin e gazetarit dhe raportin e medias me drejtësinë. Në një intervistë të detajuar me kolegen Erisa Kryeziu dhënë për Citizens.al ,z. Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), shpreh shqetësimin se amendimet e reja, larg dekriminalizimit real të fyerjes dhe shpifjes, kanë sjellë një rëndim penal dhe rreziqe serioze, veçanërisht për gazetarët investigativë dhe ata freelance.Sipas Çipës, duhet rikujtuar se dekriminalizimi i fyerjes dhe shpifjes është realizuar që 14 vite më parë, përmes një procesi të gjerë konsultimesh dhe dialogu politik, ku UGSH ka qenë aktor aktiv. Ai sqaron se edhe pse këto vepra mbetën në Kodin Penal, ato nuk parashikonin dënim me burg, por vetëm gjoba, në përputhje me praktikat europiane. Ndërsa sot, thekson ai, ndryshimet e reja jo vetëm që nuk e depenalizojnë shpifjen, por e rëndojnë atë, duke krijuar hapësira për ndërhyrje të thella të organeve të drejtësisë në procesin profesional të gazetarit.

Një nga problematikat më të forta lidhet me faktin se “dekriminalizimi” i shpifjes parashikohet vetëm për gazetarë me status të njohur dhe të regjistruar. Për Çipën, kjo përbën një qasje të rrezikshme dhe diskriminuese. “Ligji flet për status, por nuk përcakton se kush e jep këtë status, kush regjistron gazetarët dhe mbi çfarë kriteresh”, thekson ai, duke e cilësuar këtë si një vakum juridik serioz që e bën nenin praktikisht të pazbatueshëm dhe njëkohësisht të rrezikshëm për abuzim.

Kreu i UGSH-së nënvizon se profesioni i gazetarit nuk njihet ligjërisht si profesion i rregulluar dhe se nuk mund të ketë asnjë atribut certifikues nga institucione shtetërore. Në Shqipëri, prej më shumë se 35 vitesh, debati ka lëkundur mes dy modeleve: Urdhri i Gazetarëve sipas modelit italian dhe vetërregullimi sipas modeleve europiane. Por, sipas tij, asnjëri prej këtyre modeleve nuk është ndërtuar realisht në vend, duke lënë median pa mekanizma funksionalë vetërregullues.

Në këtë kontekst, Çipa shprehet se ndryshimet në Kodin Penal nuk duhet të shërbejnë si justifikim për të “rregulluar” profesionin e gazetarit me mjete penale. Përkundrazi, ai dhe UGSH mbeten të bindur se alternativa e vetme e shëndetshme është vetërregullimi i strukturuar dhe gjithëpërfshirës, i ndërtuar nga vetë komuniteti i gazetarëve.

Një tjetër shqetësim madhor lidhet me përjashtimin de facto të gazetarëve të pavarur. Sipas Çipës, çdo status i paqartë dhe i papërcaktuar përjashton automatikisht. Freelance-ët në Shqipëri nuk njihen si kategori profesionale, nuk kanë status dhe jetojnë në informalitet dhe pambrojtje të plotë ligjore. Kjo, sipas tij, cenon drejtpërdrejt pluralizmin e medias dhe lirinë e shprehjes.

Ai paralajmëron se pasojat e këtij amendimi shtrihen në disa plane: kufizimin e raportimit kritik, rritjen e vetëcensurës, dobësimin e rolit të editorit dhe shtimin e presionit penal mbi gazetarin individual. Në një realitet ku mediat janë tashmë të varura nga pronarët dhe interesat ekonomike, mungesa e statusit dhe e mekanizmave mbrojtës e bën gazetarin edhe më vulnerabël.

Sa i përket vetërregullimit, Çipa shprehet kritik ndaj situatës aktuale, duke e cilësuar si një histori dështimi kolektiv. Sipas tij, mungon një strukturë unifikuese që të përfaqësojë realisht gjithë komunitetin mediatik. Ai risjell si zgjidhje propozimin e UGSH-së për mbajtjen e një Kongresi Kombëtar të Vetërregullimit Mediatik, i cili do të krijonte një Këshill Kombëtar Vetërregullues dhe mekanizma ekzekutivë legjitimë dhe gjithëpërfshirës.

“Nëse nuk ndërtojmë këtë arkitekturë profesionale, media do të mbetet në krizë besueshmërie, ndikimi dhe dinjiteti”, përfundon Çipa, duke theksuar se ndryshimet në Kodin Penal, në formën aktuale, nuk i shërbejnë as gazetarit, as shoqërisë, por rrezikojnë të kthehen në instrument presioni mbi fjalën e lirë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Skandali me fondet bujqësore, prokuroria europiane kërkon heqjen e imunitetit për 11 deputetë të Parlamentit grek

Prokuroria Evropiane ka dërguar në Parlamentin grek një dosje...

Medalje, rekorde dhe krenari: Elbasani shpallet nënkampion i vendit në peshëngritje

Klubi Shumësportësh Elbasani ka konfirmuar edhe një herë traditën...

Shqipëria 17 vjet në NATO, Begaj: Faktor stabiliteti dhe sigurie në Aleancë

TIRANË, 1 prill /Albania Express News/ Presidenti i Republikës,...