Ish-kryeministri u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik të vendit, Fatos Nano, është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Prej disa javësh ai ndodhej në reanimacion në një spital privat në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar ndjeshëm. Nano mësohet se ka pësuar një arrest kardiak, ndërsa më herët kurohej për probleme me frymëmarrjen.
Nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste në majën e politikës shqiptare
I lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë, Fatos Nano u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974. Rruga e tij e karrierës nisi në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, ku punoi si studiues i reformave ekonomike të vendeve të Bllokut Lindor, nën drejtimin e Nexhmije Hoxhës.
Pas shembjes së regjimit komunist, Nano ishte ndër figurat e para të elitës së vjetër që u përshtatën me ndryshimet e reja politike, duke u përfshirë aktivisht në zhvillimet e dhjetorit 1990.
Në dhjetor 1990 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, më pas zëvendëskryeministër në kabinetin e Adil Çarçanit dhe në fund të shkurtit 1991, Ramiz Alia i besoi drejtimin e qeverisë, duke e caktuar Kryeministër të Shqipërisë me një mandat të qartë: përgatitjen e tranzicionit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Arkitekti i transformimit të Partisë Socialiste
Pavarësisht se qëndrimi i tij në krye të qeverisë zgjati vetëm pak muaj, merita më e madhe e Fatos Nanos në atë periudhë mbetet transformimi i Partisë Socialiste, duke e shkëputur nga trashëgimia e Partisë së Punës dhe duke e orientuar drejt modelit social-demokrat perëndimor.
Kjo periudhë u konsiderua si hapi i parë real i majtës shqiptare drejt reformimit dhe modernizimit.
Burgosja dhe kthimi triumfues në politikë
Ardhja e Partisë Demokratike në pushtet në vitin 1992 do të sillte një nga periudhat më të errëta për Nanon.
Më 30 korrik 1993, ai u arrestua në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe u akuzua për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh, lidhur me administrimin e ndihmës italiane.
Vetëm nëntë muaj më vonë u dënua me 12 vite burg, ndonëse Nano e konsideroi procesin tërësisht politik.
Në marsin e vitit 1997, mes kaosit dhe trazirave që përfshinë vendin pas kolapsit të skemave piramidale, Nano u lirua nga burgu dhe vetëm tre muaj më pas udhëhoqi Partinë Socialiste drejt fitores në zgjedhje. Ai u rikthye në krye të qeverisë si simbol i ringritjes së së majtës.
Nano, njeriu që riktheu normalitetin pas krizës së vitit 1997
Periudha e parë e qeverisjes së tij, në vitin 1997-1998, shënoi stabilizimin e vendit pas një kolapsi të plotë ekonomik dhe institucional.
Merita e Nanos, e pranuar edhe nga kundërshtarët e tij politikë, ishte rikthimi i normalitetit dhe institucioneve shtetërore në një Shqipëri të përçarë e të dëmtuar rëndë.
Megjithatë, pas vrasjes së Azem Hajdarit, më 28 shtator 1998, ai dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, për t’u përqendruar në drejtimin e Partisë Socialiste.
Rikthimi i dytë në qeveri dhe fundi politik
Në 31 korrik 2002, Fatos Nano u rikthye sërish në krye të qeverisë, duke qëndruar në pushtet deri në humbjen e zgjedhjeve të vitit 2005.
Në atë periudhë, ai përpiqej të mbante ekuilibrin mes brezit të vjetër të socialistëve dhe figurave të reja që po ngjiteshin në parti.
Pas humbjes, Nano dha dorëheqjen nga drejtimi i PS-së dhe deklaroi largimin përfundimtar nga politika aktive – një premtim që e mbajti deri në fund.
Jashtë politikës, por gjithmonë në qendër të vëmendjes
Pas vitit 2005, Nano jetoi mes Vjenës dhe Tiranës, duke qëndruar më shumë në heshtje, por gjithmonë nën vëzhgimin e opinionit publik.
Në disa raste, emri i tij është përfolur si kandidat i mundshëm për President të Republikës, si në vitin 2007 dhe 2012, por asnjëherë nuk arriti të zgjidhej.
Një jetë me pasione dhe kontradikta
Jeta personale e Fatos Nanos ka qenë po aq e trazuar sa ajo politike. Ai konsumoi një martesë 25-vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën pati dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën.
Në vitin 2002, pas divorcit, ai u martua me Xhoana Nanon, marrëdhënie që u shoqërua me shumë vëmendje nga mediat.
Figura e tij është përshkruar shpesh si liberale, inteligjente dhe kontradiktore, një përzierje mes njeriut të bindjeve të forta dhe politikanit pragmatik.
Trashëgimia politike
Fatos Nano do të mbetet në historinë e Shqipërisë si njeriu që reformoi të majtën dhe i dha vendit një parti social-demokrate të modelit perëndimor.
Në një tranzicion të gjatë e të dhimbshëm, ai mbeti një ndër figurat më komplekse të politikës shqiptare: i dashur nga një pjesë, i kundërshtuar nga shumë, por gjithmonë i pranishëm në faqet e para të historisë politike të vendit.
Fatos Nano (1952 – 2025)
Ekonomist, reformator, kryeministër i tranzicionit, politikan që solli modernitetin në të majtën shqiptare.

