Nga Imer Hysa – Poet dhe Gazetar
Promovimi i radhës i Antologjisë Nr. 24 “Na Bashkoi Poezia”, përgatitur nga poetët Ilmi Dervishi dhe Hava Muçollari, nën moderimin e poetes dhe shkrimtares së talentuar Kotiola Karoli dhe gazetarit Agim Xheka, këtë radhë startoi dhe u mbajt në mjediset e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” të qytetit të Elbasanit, në djepin e arsimit dhe të kulturës shqiptare.
Ky aktivitet letrar, i cili bashkoi në një antologji poetë nga mbarë trojet kombëtare, ishte një vlerë e shtuar në traditën e këtij grupi poetësh.

Grupi i poetëve “Na Bashkoi Poezia” nuk është thjesht një grup i rëndomtë i rrjeteve sociale, por është ndër më të suksesshmit.
Rrugëtimi i tij ndër vite ka patur kënaqësinë jo vetëm të shtrijë gjeografinë poetike në mbarë trojet shqiptare, por edhe t’i bashkojë poetët në antologji të shumta të botuara ndër vite dhe, përmes promovimeve të tyre, t’i takojë dhe njohë fizikisht.

Kjo njohje ka fuqizuar më shumë miqësitë mes poetësh dhe ka shtuar dëshirën për të vazhduar botimin e antologjive të reja. Të gjithë poetët pjesëmarrës recituan poezitë e tyre para njëri-tjetrit dhe përzgjedhjes së një jurie profesioniste.
E veçanta e promovimit të sotëm ishte edhe ndarja, për të dytën herë radhazi, e çmimit letrar që mban emrin e poetit Selim Ramadani – poet, dramaturg dhe regjisor nga Tetova – që iu akordua poetes Prenda Sejdia dhe iu dorëzua nga motra e poetit, Hasije Ramadani.

Gjithashtu, juria prej tre vetash, me kryetar Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Dega Elbasan, z. Bardhul Toda, ndau edhe tre çmime letrare:
- Me çmim të parë u vlerësua poetja Elena Feruku;
- Me çmim të dytë, poeti Haki Çollaku;
- Me çmim të tretë, poetja Sheqere Sina.
Ky ishte takimi i radhës, por sigurisht jo i fundit i këtij grupi simpatik poetësh.




