Autoritetet lokale në Vlorë, Fier dhe Durrës kanë kaluar në gatishmëri të shtuar për shkak të reshjeve me intensitet të lartë që pritet të bien gjatë 48 orëve të ardhshme.
Në Qarkun e Fierit, punonjësit, specialistët dhe inxhinierët e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit janë vendosur në gjendje alerti, duke nisur monitorimin e vazhdueshëm të zonave të rrezikuara. Hambari, Kashishti dhe Pishë Poro konsiderohen pikë të ndjeshme ndaj vërshimeve të mundshme të lumit Vjosë, ndaj pritet të ketë ndërhyrje të shpejta në rast ngritjeje të nivelit të ujërave.
Edhe në Vlorë, situata është marrë seriozisht. Komisioni i Mbrojtjes Civile u mblodh sot për të koordinuar veprimet dhe për të përcaktuar detyrat konkrete për çdo institucion, me qëllimin që të sigurohet një reagim i shpejtë nëse moti përkeqësohet. Gjatë mbledhjes u kërkua ndërhyrje urgjente në digën e Vjosës, duke hedhur inerte për forcimin e saj, pasi zona e Novoselës mbetet më e ekspozuara ndaj rrezikut të përmbytjeve.
Kushtet atmosferike janë rënduar edhe përgjatë brigjeve të Adriatikut, duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin detar. Anijet e vogla dhe mjetet e peshkimit janë detyruar të pezullojnë lundrimet në portet e Durrësit dhe Vlorës. Ndërkohë, tragetet e linjës Durrës–Bari që nisen në orët e mbrëmjes pritet të operojnë normalisht, sipas Kapitenerisë. Megjithatë, flota e peshkimit ka ndalur aktivitetin dhe ka marrë masat e domosdoshme të sigurisë për të shmangur incidente në zonat portuale.
Sipas parashikimeve meteorologjike, vendi pritet të përballet me një javë me mot të paqëndrueshëm, gjë që pritet të kufizojë aktivitetin detar dhe peshkimin deri në fund të javës.

