Reshjet e rrëmbyera që kanë përfshirë Elbasanin gjatë orëve të fundit kanë aktivizuar në gatishmëri të plotë strukturat e Bashkisë, të cilat po monitorojnë nga afër çdo zhvillim për të shmangur situata emergjente.
Ekipet e ASHP dhe Ujësjellës–Kanalizime Elbasan (UKE) ndodhen në terren në të gjithë qytetin, duke kryer pastrimin e vazhdueshëm të pusetave që, për shkak të prurjeve dhe gjetheve, rrezikojnë bllokimin dhe shkaktimin e përmbytjeve.
Në zonat rurale, ASHP Fshat po ndjek me vëmendje prurjet e lumit Shkumbin, gjendjen e rrugëve rurale, baseneve dhe përrenjve. Falë pastrimit në kohë të kanaleve kulluese dhe pritave mbrojtëse, qindra hektarë tokë bujqësore në Shushicë dhe Muriqan janë mbrojtur nga rreziku i përmbytjeve.
Sipas njoftimit të Bashkisë, deri tani situata paraqitet nën kontroll dhe pa problematika shqetësuese, megjithëse 24 orët e ardhshme pritet të shoqërohen me reshje edhe më intensive.

Thirrje për kujdes nga qytetarët
Bashkia u bën thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zona të rrezikshme dhe të njoftojnë menjëherë çdo situatë problematike.
Numrat e emergjencave:
• 129 – Policia e Shtetit
• 128 – Zjarrfikësja
• 112 – Numri unik i emergjencave
• Ujësjellës-Kanalizime Elbasan:
📞 +355 68 641 6064
📞 +355 69 475 0333
Bashkia Elbasan nënvizon se mbetet në shërbim të komunitetit dhe me kapacitetet e plota të angazhuara për menaxhimin e situatës.

