Miss Globe World 2025 ndalet në Belsh, 52 bukuroshe nga e gjithë bota mahniten nga liqenet karstike dhe natyra shqiptare

Nga Fatmir Popja

Shqipëria vijon të jetë epiqendra e bukurisë dhe e vëmendjes ndërkombëtare këtë tetor, ndërsa aktiviteti i përmasave botërore Miss Globe World 2025 ka sjellë në vendin tonë 52 bukuroshe përfaqësuese nga po aq shtete të botës. Mbrëmjen e së martës vajzat finaliste vizituan qytetin e Belshit, një nga zonat më piktoreske të Shqipërisë së Mesme, të njohur për liqenet e tij karstike dhe peizazhin magjepsës.

Vizita në Belsh është pjesë e axhendës promovuese të konkursit, e cila synon të shfaqë përpara botës thesaret natyrore dhe kulturore të Shqipërisë përmes prezencës së një eventi me jehonë globale siç është Miss Globe World. Aktiviteti është organizuar në bashkëpunim me Bashkinë e Belshit, me mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe të partnerëve turistikë lokalë.

Është një kënaqësi dhe një nder i veçantë që Belshi mirëpriti 52 përfaqësuese nga mbarë bota. Ky është një moment i rëndësishëm për promovimin e vlerave tona natyrore dhe kulturore. Belshi ka potencialin të shndërrohet në një destinacion turistik të rëndësishëm, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar”, u shprehën përfaqësues të Bashkisë së Belshit gjatë një pritjeje të veçantë për delegacionin e “Miss Globe”.

Gjatë qëndrimit të tyre finalistet e konkursit patën mundësinë të vizitojnë disa prej liqeneve më të njohura të zonës, të përjetojnë mikpritjen tradicionale shqiptare dhe të njihen nga afër me historinë dhe kulturën lokale. Vajzat finaliste u shprehën të mahnitura nga bukuria e peizazhit dhe autenticiteti i eksperiencës që kanë përjetuar në këtë pjesë të Shqipërisë.

Nuk e prisnim që Shqipëria të kishte një natyrë kaq të pasur dhe një ambient kaq të pastër e mikpritës. Belshi është një perlë e fshehur që meriton të njihet nga gjithë bota”, tha një prej përfaqësueseve nga Amerika Latine.

Finalja e Miss Globe World 2025 do të zhvillohet në mesin e muajit tetor, ku Shqipëria do të presë një event ndërkombëtar me pjesëmarrje të gjerë nga personalitete të modës, kulturës dhe mediave. Ky aktivitet, i cili prej vitesh mbahet në vendin tonë, konsiderohet një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit në fushën e promovimit ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik dhe kulturor.

Organizatorët theksojnë se një pjesë e rëndësishme e misionit të Miss Globe World është të nxjerrë në pah jo vetëm bukurinë e konkurrenteve, por edhe bukurinë e vendeve mikpritëse, duke kontribuar në nxitjen e turizmit dhe të shkëmbimeve kulturore mes kombeve.

Me ndalesa si ajo në Belsh, Shqipëria konfirmon edhe një herë potencialin e saj si mikpritëse e denjë e aktiviteteve të përmasave globale, duke vënë në fokus rajonet që shpesh nuk janë pjesë e hartës tradicionale turistike, por që ofrojnë eksperienca unike dhe autentike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME